Me damkë amerikane nga e cila po çon dhe PD-në e tij në zgrip, Berisha ka vendosur të konkurojë sipas një modeli amerikan në Lokalet e pjesshme të 6 marsit.
Pra, me gjasë do jenë dy PD që do rivalizojnë njëra-tjetrën, me bindjen se do dalin fituese.
Por më shumë se kaq, Berisha shfaqet dhe si njeri me shije politike amerikane në këtë sfidë të pritshme elektorale, një prirje e njohur e tij qyshse u shpall “non grata” nga Departamenti i Shtetit, për të qenë “më katolik se Papa”, pra, më amerikan se amerikanët që e shpallën të padëshiruar për Amerikën.
Në FB, Berisha shkruan se në përzgjedhjen e kandidatëve do ndiqet modeli i primareve në SHBA.
“Ne kemi vendosur që në këto zgjedhje për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë të marrim pjesë.
Kandidatët tanë do t’i përcaktojnë anëtarët. Pra, do të bëhen zgjedhjet në struktura dhe kandidatët më të votuar do të jenë zyrtarisht kandidatë.
QYTETARI vendos se kush do të jetë kandidat, as Sali Berisha, as Kryesia, askush tjetër.
Ky proces është i ngjashëm me primaret në SHBA dhe është i dëshmuar si më i suksesshmi, transparenti dhe besojmë se do të sjell rezultatet më të mira për ne.
I ftoj edhe njëherë të gjithë anëtarët që të bëhen pjesë e këtij procesi për t’i dhënë legjitimitetin e duhur secilit kandidat.
Lista jonë padyshim se do të jetë listë fituese e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme në secilin kuptim të fjalës”, shkruan njeriu që nuk dihet ende se me ç’sigël do garojnë kandidatët për të cilët ai flet. /sarandacity.al/