Ka rënë në prangat e Policisë një ndër ata individë që enden mes të fortit dhe aventurierit, që ushtron rep dhe ka emër arti, duke qenë njeherësh me status të “paprekshmi”, edhe pse me stilin e jetës që bëjnë është e qartë se ç’punë bëjnë.
Ervin Selita, i njohur si “Vinz”, ka tentuar të vrasë një pronar hoteli në Tiranë, pasi nga recepsionisti dhe më pas pronari, Zeni Xhindi, nuk është lënë të hyjë në dhomë pa kartë identiteti, duke qenë nën shoqërinë e një të dashure.
Pra, siç mund të merret me mend, ka dashur “të bëjë ligjin” në pronën e tjetrit, nën bindjen se askush nuk mund ta ndalojë në fiksimet e tij. Vrasja për fat nuk ka ndodhur dhe ai, “i paprekshmi” është bërë zap nga Policia, e cila është vënë në kërkim dhe të dy shokëve të tij, të cilët e kanë ndihmuar të fsheh armën.
Tashmë pritet se si do sillet drejtësia ndaj një eksponenti të tillë, i listuar si pjesë e një bande në Angli e quajtur “Hellbanianz”, e cila kontrollon, sipas medias britanike, tregun e kokainës.
Ata madje nuk fshihen fare por prezantojnë sfidueshëm jetën luksoze, duke i afruar fotot e tyre delirante në rrjete edhe si provë e kriminalizimit të tyre.
Tashmë është drejtësia ajo që do e tregojë nëse janë apo jo vërtet “të paprekshëm”. /sarandacity.al/