Me duart lart dhe me një dron që xhironte gjithçka nga lart, 39-vjeçari Edmond Përdoda nuk ka mundur të bëjë asgjë kundër arrestimit nga RENEA.
Ai ishte ishte i shpallur në kërkim për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Policia publikoi edhe pamje nga operacioni i zhvilluar në fshatin Lalm, ku banonte i shumëkërkuari.
Sipas autoriteteve, 39-vjeçari ishte i dënuar më parë në shtetin grek, për vrasje, ndërsa në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.
Po cila është ajo vepër e rëndë penale që e çoi në burg Përdodën?
Në datën 27 prill 2020, në fshatin Lalm i Ri të Lezhës u ekzekutuan me armë zjarri Kol Murrani dhe Preng Simoni.
Autorët u identifikuan si vëllezërit Aleksandër Perdoda (aktualisht në burg, i dërguar për gjykim për vrasje në rrethana cilësuese) dhe Edmond Perdoda i cili u arrestuar sot nga RENEA.
Atë ditë, Kol Murrani dhe Preng Simoni shkuan për të vizituar banesat e tyre të vjetra në fshatin Lalm Lukaj, por u përballën me dy vëllezërit e armatosur, të cilët dyshohet se kishin mbjellë kanabis në tokat e dy viktimave.
Rapsodi i njohur Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u ekzekutuan me breshëri arme kallashnikovi.
Trupat e viktimave janë lënë në pyll dhe janë gjetur nga djali i Preng Simonit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra. /sarandacity.al/