Një nga mediat që mbron projektin e inceneratorëve, Gazeta Shqip, pretendon se deputetja Ina Zhupa, pjesë e komisionit hetimor mbi aktivitetin e tyre, ka tentuar të manipulojë publikun në rastin e një vizite me motive investigimi nw inceneratorin e Tiranës
“Edhe pse ishte vetë dëshmitare dje në inspektimin e Inceneratorit të Tiranës, opozita vazhdon të hedhë argumenta të pavërteta për të disinformuar publikun.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, nuk rresht së gënjyeri për diçka që u pa nga të gjithë. Edhe pse theu rregullat e inspektimit dje duke kaluar pa leje në kantierin e Impiantit të mbetjeve dhe shantazhoi dhe fyeu biznesin privat, bashkë me Jorida Tabakun dhe Belind Këlliçin, Zhupa vijon me akuzat e pabaza.
Në një status në Facebook të bërë ajo thotë se provoi para shqiptarëve që aty nuk ekziston asnjë projekt që bën diferencim, riciklim e incenerim të mbetjeve.
‘Provuam me fakte para shqiptarëve që aty nuk ekziston asnjë projekt i realizuar, asnjë themel godine i nisur që të ndertohet dhe kryej shërbimin e diferencimit, riciklimit dhe incenerimin e mbetjeve,’ shkruan Zhupa.
Por gënjeu sy për sy, pasi e pa fare mirë që puna në Inceneratorin e Tiranës nuk u ndal për asnjë moment pavarësisht inspektimit të tyre ditën e djeshme, me drejtuesin teknik Elton Bualli i cili i informoi në detaje për gjithçka rreth funksionimit të impiantit.
Pamjet tregojnë krejt të kundërtën e asaj që thotë Zhupa. Duket qartë i gjithë procesi i riciklimit.
Përveç kësaj, inxhinieri i kantierit të impiantit të Tiranës, Klevis Lala, ka treguar nga afër kapanonin e selektimit të mbetjeve, i cili ka vazhduar punën me kapacitet të plotë që prej nëntorit të vitit të kaluar.
Lala tregoi të gjithë procesin nga A në Zh se si kryhet riciklimi i mbetjeve urbane”, shkruan ndër të tjera Gazeta Shqip. /sarandacity.al/