Mëngjesi i sotëm nuk ka qenë thjesht deklarativ: Rusia nisi ofensivën ndaj Ukrainës, vendit ish-sovjetik, të cilën Putin e quajti së fundi një krijesë të Leninit.
Filimisht ishin tanket ruse ato që kaluan kufirin Bjellorusi-Ukrainë, për t’u pasuar nga avionët, të cilët fluturuan dhe mbi Kiev.
Në shënjestër të goditjeve të para kanë qenë magazinat, aeroportet ushtarake, qendrat e ndërlidhjes dhe postet komanduese.
Më konkretisht, raketat e lundrimit të lëshuara nga anijet e marinës ruse nga Deti i Zi goditën aeroportin Ivano-Frankivsk në Ukrainën jugperëndimore.
Aty është vendosur 114 BrTA (Brigada Taktike e Aviacionit) e Forcave Ajrore të Ukrainës, e cila ka 20 avionë luftarakë MiG-29.
Interfax Ukraine raportoi sulme me raketa ndaj objekteve ushtarake në të gjithë Ukrainën dhe se trupat ruse kishin zbarkuar në qytetet portuale jugore të Odessa dhe Mariupol.
Zyrtarët ukrainas thonë se trupat bjelloruse po i bashkohen sulmit rus, që do të thotë se ofensiva tani po vjen edhe nga veriu i Ukrainës, raporton BBC.
Bjellorusia, e vendosur në kufirin verior të Ukrainës, ka qenë prej kohësh në aleancë me Rusinë.
Ndër reagimet e para, qe ai i kryeministrit britanik Boris Johnson:
“Jam i tmerruar nga ngjarjet e tmerrshme në Ukrainë dhe kam diskutuar me Presidentin Zelensky hapat e ardhshëm. Presidenti Putin zgjodhi rrugën e gjakderdhjes dhe shkatërrimit kur nisi këtë sulm të paprovokuar ndaj Ukrainës. Britania dhe aleatët e saj do të përgjigjen me vendosmëri”, shkroi Johnson.
Më herët, Putin tha se Rusia do të raportonte një “operacion special ushtarak në Ukrainë”.
Ai shtoi se “konfliktet midis forcave ukrainase dhe ruse janë të pashmangshme dhe vetëm çështje kohe”. /sarandacity.al/