Askush nuk priste që presidenti Putin të vendoste të pushtonte Ukrainën, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një intervistë për Alpha TV sonte, duke iu referuar luftës në Ukrainë.
“Nuk e prisnim sepse jemi vërtet para një bote të re. Është zhbërja e regjimit të paqes dhe sigurisë. Po flasim për një Luftë të re të Ftohtë që askush nuk e di se si do të përfundojë. Putin zgjodhi të impononte mënyrën e tij të jetesës në një vend tjetër.
Kjo na shqetëson të gjithëve dhe kjo është arsyeja pse ka pasur këtë reagim universal. E kam fjalën për presidentin Putin dhe jo për Rusinë, sepse besoj se shumica e popullit rus nuk e donte këtë luftë. Sot Mariupol është nën rrethim.
Një katastrofë humanitare po ndodh. Është absolutisht e domosdoshme që armiqësitë të ndalen tani. Rusia sot është e izoluar globalisht”, tha kryeministri grek në komentet e tij mbi krizën e re të botës.
Mitsotakis quajti si të moralshme ndihmën ushtarale të dhënë nga Greqia për Ukrainën, e cila është në logjistikë, e njëherësh, duke u zhvendosur te raportet delikate me fqinjin Turqi, ai potencoi: “Vendi nuk ka ndërmend të blejë asnjë sistem mbrojtës nga Rusia”, duke aluduar kështu në atë që bëri Turqia me S 400.
Dhe, duke qëndruar te Turqia, ai shprehu gadishmërinë për t’u takuar me Erdogan, duke dhënë të nënkuptuar se ajo ç’po ndodh me Rusisë dhe Ukrainës nuk duhet të ndodhë mes Turqisë dhe Greqisë.
“Takimi mes kryeministrit grek dhe presidentit turk nuk duhet të jetë lajm. Besoj se do të ketë një “humor të përbashkët” për të organizuar një takim të tillë. Mund të jetë shkas për një ulje të toneve”, arsyetoi Mitsotakis. /sarandacity.al/