Kryeministri Rama ka paralajmëruar me “Ferr” të gjithë ata tregtarë që do abuzojnë me çmimet në këtë “kohë lufte”.
Masën me çmimin e naftës ai ka vendosur ta praktikojë dhe me ushqimet bazë, për t’u ndërprerë rrugën spekullimeve.
E ka bërë këtë dhe me një lloj barselote, gjysmë të vërtetë, duke iu kujtuar atyre botën tjetër, llogarinë që në fakt do jetë para Zotit, por që në letrarizmin katolik është para Shën Pjetrit.
“Imagjinoni të nxirrni fitime dhe të shkoni të Shën Pjetri dhe t’ju pyesë ç’bëtë në atë jetë dhe t’ju thotë që si ka mundësi kur ishte lufta në Ukrainë keni fituar kaq shumë? Kjo s’duhet të ndodhë se do t’ju takojë rrethi i fundit i ferrit”, tha Rama në një takim me disa furnizues të ushqimeve bazë, ku e vetmja e pavërtetë teologjike është e ajo e përballjes se njeriut me Shën Pjetrin. Shën Pjetri ka qenë krijesë dhe krijesa s’i jep llogari krijesës në botën tjetrën, por Krijuesit që e krijoi, Zotit.
Ndaj, duke e ditur dhe këtë të vërtetë, Rama u vetëpërmisua teologjikisht kur tha:
“Zoti në botën tjetër është një dhe emrin e ka ndryshe ferri ose parajsa”, tha i pari i qeverisë.
“Përtej kësaj shakaje që është gjysma e së vërtetës, do t’ju lutesha shumë që këtu nuk është çështje e gjërave që mund të bëjë shteti me pahir. Unë jam kundër ndërhyrjeve të çfarëdo lloj të shtetit në shtyllën kurrizore të tregut, jo se jam idelogjikisht i penguar por në kushte paqeje kjo është skandal, ndërsa në kushte lufte është domosdoshmëri dhe prandaj jam këtu se e duam jo me detyrim, por me bindje e dëshirë”, argumentoi, ai teksa njoftoi krijimin e një Bordi dhe për çmimet e produkteve bazë, siç me naftën.
E vërtetë në këtë rast është ajo se vërtet, për njeriun që tenton të fitojë spekullativisht në kohë krizë, por qoftë dhe në kohë paqeje, llogaria para Zotit do jetë shumë e rëndë, ashtu siç ndëshkimi. /sarandacity.al/