Është ekzekutuar në Greqi me breshëri plumbash Giannis Skaftouros, i njohur si bos i jetës së natës në fqinjin jugor. Thuhet se ndaj tij u qëllua me kallashnikov në prani të familjarëve.
Sipas mediave greke, ai u vra në oborrin e banesës së tij në Skourta të Athinës teksa ishte nën shoqërinë e 10 personave, miq dhe të afërm, tubuar nën atmosferë Pashke.
Protothema bën me dije se ka mbetur e plagosur vajza e 55-vjeçarit e cila u dërgua në Spitalin Attikon, si dhe vjehrri i tij, edhe ky i fundit i transportuar me ambulancë në spital.
Sipas informacioneve nga burime policore, autorët dyshohet se janë katër persona, të cilët lëviznin me dy motoçikleta. Kur arritën pranë shtëpisë së Giannis Skaftouros zbritën dhe qëlluan dhe më pas u larguan nga vendngjarja. Edhe 55-vjeçari ka nxjerrë armën nga brezi për t’iu kundërpërgjigjur autorëve, por breshëria ia ka bërë të pamundur të vijonte më tej luftën.
55-vjeçari ishte bashkë me të afërm të tij në pjesën e gjelbëruar të shtëpisë duke festuar pas Pashkëve ndërsa të paktën një plumb kapi edhe vajzën e tij 22-vjeçare.
Policia greke ka nisur një operacion të gjerë kërkimi në zonën përreth dhe Athinë, për kapjen e autorëve ku krahas makinave janë futur në funksion edhe helikopterët.
Giannis Skaftouros kishte 3 vite e gjysmë që ishte liruar nga burgu, i akuzuar ndër të tjera për pjesëmarrje në rrëmbime dhe vrasje me pagesë.
Në vitin 2018 ai është sulmuar me thikë nga disa shqiptarë në burgun e Koridalos ku edhe mori plagë të rënda. Dyshohet se ai sulm u planifikua dhe zhvillua nga pjestarët e “Mafias së Burgjeve” të përbërë nga shqiptarë, sipas mediave greke. /sarandacity.al/