Kryeministri Rama befasoi me emrin e propozuar për President të ri të shtetit, krejt jashtë çdo parashikimi. Ai artikuloi emrin e Bajram Begajt, njeriut nr. 1 të Ushtrisë Shqiptare, pra shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, si njeriu që do pasojë Metën. Njëherësh, Begaj është dhe një mjek.
Rama deklaroi se Begaj është një figurë e denjë për postin e kreut të shtetit, duke thënë se ai ishte përzgjedhur mes 24 kandidatura.
Pak pasi i bëri me dije publikut emrin e tij, Rama u takua me Begaj, duke këmbyer këto fjalë:
Rama: Sot kemi pasur një diskutim në Kryesi shumë të gjatë, me shumë kandidatura dhe në fund ramë dakord që ishe kandidatura e duhur për ta normalizuar dhe për të institucionin e Presidencës.
Ju falenderoj që ju nuk shfaqët refuzim por pranim. Do të jetë nder për ne që tu japim votën dhe të zgjidheni zyrtarisht President i Republikës.
Begaj: Faleminderit kryeministër! Është vlerësim shumë i madh të jem president. Do të jem në lartësinë e detyrës. Nëse do të votohem do jem i lumtur ta kryej detyrën me dinjitet.
Rama: Ne kemi bindjen se ju do të jeni në lartësinë e kësaj detyre. Të gjithë ato që morën fjalën folën me respekt dhe bindje që ju do të bëni më të mirën në atë detyrë. Uroj që të jeni deri në fund besnik ndaj shtetit. Ju do ta merrni shpejt.
Begaj: Nderi, detyra dhe Atdheu janë motoja e punës dhe besoj që do të jem 24/7 në shërbim të kësaj motoje.
Po kush është gjeneral Bajram Begaj?
Gjeneral major Bajram Begaj ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.
Gjeneral major Begaj, ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë” në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i asociuar” në Mjekësi.
Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer: kursin e lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe kursin e specializimit në fushën e mjekësisë dhe kursin e Shëndetësisë, në Greqi.
Gjeneral major Begaj mbajti postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në FA ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, drejtor i Spitalit Ushtarak, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.
Begaj u dekretua nga Presidenti Ilir Meta në korrik 2020 si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. /sarandacity.al/