Kryeministri Rama lëshoi rrufe ndaj kryebashkiakëve socialistë, për një çështje që në fakt nuk rrihet fare në media. Të fokusuar te të zgjedhur lokalë që mund të kenë të kaluar kompromentuese, pothuajse asnjëherë nuk trajtohet thelbi tjetër i tyre: sa të aftë janë, apo se mbi ç’kritere aftësish të spikatura janë përzgjedhur për të qeverisur lokalitetet përkatëse?
Sepse nuk mjafton sa të mirë kanë qenë si mësues, mjekë, agronomë, ekonomistë, inxhinierë, juristë, policë apo diç tjetër në profesion, madje dhe humoristë, për të qenë po kaq të mirë aty ku duhet vërtet talent i lindur për t’ja dalë në një shoqëri me më shumë halle për kilometra katrorë.
Fjala vjen, sikur Agim Kajmaku të qe qelibar në jetën e tij jopolitike, çështja është se për ç’aftësi të veçanta dhe të provuara ai duhej zgjedhur për të qenë kryebashkiak.
Në një takim me të zgjedhurit lokalë të 2019-ës, ata që morrën detyrën në rrethana të pazakonta bojkoti opozitar, Rama shpalosi në fakt paaftësinë e shumë prej tyre, e cila nuk reflektohet vetëm në pazotësinë e tyre për të zeruar borxhet, por dhe në mungesë kreativiteti për të bërë histori suksesi si drejtues qytetesh. Dhe kjo në një kohë kur vetë Rama është imponuar si model, apo se të njëjtën gjë po bën dhe Veliaj. Ky i fundit është tejet i diskutueshëm në shumë plane, por s’mund t’i mohohen gjurmët e prekshme që lë në punët e tij, si dhe një lloj energjie që në “e ke inat vraje, por mos ja moho”. Por të dytë si Veliaj nuk ka. Shumë nga kryebashkiakët drejtojnë burokrativisht bashkitë, pa qenë aspak frymë, erë, që njesohet me emrin e tyre. Si të thuash, erdhën dhe do ikin si emra por jo si fenomene. Atyre mund t’u falet kjo, por jo Ramës, siç nuk i falen dhe shumë të tjera, referur tipologjisë së tij politike, madje dhe asaj estetike. Qoftë dhe për sqimë kulturore, pa iu futur aspak aftësive menaxhuese, disa kryebashkiakë s’mund të ishin kursesi zgjedhje të Ramës.
Nuk dihet nëse ekziston ndonjë praktikë prej tij që para se të vendosë për ndonjë emër, siç në rastin e atyre që do drejtojnë qytete, të takohet e bisedojë të paktën 30 minuta me secilin prej tyre. Nëse do ekzistonte, në këto 30 minuta Rama ka nuhatjen e duhur si dhe përvojën gjithashtu, ta kuptojë nëse ka para të denjin ose jo për t’i besuar përgjegjësi. Por duket se nuk ekziston.
Dëshpërimi i tij i fundit me “29 qershorësit” e 2019-ës, e tregoi këtë. /sarandacity.al/
Your point of view caught my eye and was very interesting. Thanks. I have a question for you.