Bujar Leskaj, Ina Zhupa dhe Jolio Dine kanë zhvilluar sot një takim me strukturat e degës së PD Sarandë. “Theksova se për 18 ditë Partia Demokratike do të ndryshojë mënyrën e qeverisjes, të kontratës me shqiptarët, kontratë e cila ndërtohet mbi bazën e angazhimeve dhe jo të premtimeve, ngrihet mbi transparencën, llogaridhënien, përgjegjshmërinë dhe integritetin”, është shprehur Leskaj në faqen e tij në Facebook.
Kandidatët Ina Zhupa dhe Jolio Dine folën për fushatën qytetare që po zhvillon PD derë më derë, angazhimin e strukturave dhe besimin për fitoren.
“Vota për PD garanton ekonomi, punësim, arsim më të mirë, shtet të së drejtës, anëtarësim atje ku Shqipëria e ka vendin- në BE! Pas 18 ditësh Saranda nuk do të votojë dështimin, por PD dhe NDRYSHIMIN!”, ka shkruajtur Ina Zhupa, kandidate e Partisë Demokratike në Facebook.
Pas këtij takimi, Bujar Leskaj së bashku me Ina Zhupën dhe Jolio Dinen, kanë bërë takime elektorale në Berdenesh dhe Ksamil.
Në fshatin e Berdeneshit Bujar Leskaj shprehet se dora e shtetit është ndjerë për herë të fundit kur qeveriste Partia Demokratike.
“Në Ksamil pashë dëshirën dhe angazhimin e banorëve në krah të Partisë Demokratike për ndryshim. Çdo ndryshim kërkon kurajo dhe banorët e Ksamilit, e kanë kuptuar se me Edi Ramën dhe sektin e tij nuk ka të ardhme”, është shprehur Bujar Leskaj pas takimit në Ksamil. /sarandacity.al