Viti 2022 doli të ishte shumë mbresëlënës për Gautam Adhani. Dhe si të karakterizohet ndryshe një vit në të cilin biznesmeni indian u bë njeriu më i pasur në Azi dhe i treti më i pasur në të gjithë botën.
Në fakt, ndërsa shumica dërrmuese e miliarderëve panë se pasuria e tyre u tkurr ndjeshëm në vitin 2022, Adani arriti të rrisë llogarinë e tij bankare me 40 miliardë dollarë.
Dhe pyetja që lind pandërprerë është kjo: si e bëri saktësisht?
Të mos harrojmë, në fund të fundit, se ky është një sipërmarrës i gjeneratës së parë, i cili filloi tregtinë e diamanteve në Bombei në vitet ’80 dhe në fund bëri një pasuri nga qymyri “i ndyrë”.
Sekreti qëndron tek ky i fundit, pra qymyri, pasi kriza energjetike dhe sanksionet ndaj naftës ruse çuan në rritje të çmimeve të qymyrit, duke rritur ndjeshëm të ardhurat e Adanit.
Por, kjo është gjysma e së vërtetës, sepse – përveç sa më sipër – miliarderi indian u tregua edhe një top… dealmaker, duke mbyllur disa marrëveshje mbresëlënëse. Ndër të tjera, për shembull, ai bleu njësinë aziatike të Holcim, një port në Izrael, dhe stacionin televiziv NDTV (një nga mediat e pakta në Indi që kritikon qeverinë).
Natyrisht, aksionet e të gjitha kompanive të Adanit nuk ishin të imunizuara nga shitja më e gjerë në tregjet ndërkombëtare (si rezultat i inflacionit dhe ngadalësimit ekonomik), por ato përfunduan duke treguar fitime të konsiderueshme në 2022, duke ndihmuar në rritjen e pasurisë së tij.
Si rezultat, biznesmeni indian ka aktualisht një “perandori” me vlerë gati 120 miliardë dollarë. /sarandacity.al/