Pas të tjera lëkundjeve të frikshme sizmike në Shqipëri, në zonën verilindore, përfshirë dhe Tiranën, Arkivi Shtetëror sjell një fakt të panjohur deri më sot mbi Shqipërinë në raport me tërmetet; atë që një studim italian e rendit vendin tonë si vendin e dytë pas Japonisë si zonë e nxehtë sizmike në glob, gjë që në fakt nuk është vërtetuar në praktikë dhe që është kundërshtuar fort nga specialistët shqiptarë.
Në rubrikën e saj të përditshme “A e dini se”, Arkivi shkruan:
“Një studim italian e rendiste Shqipërinë si vendin e dytë në botë (pas Japonisë) si zonë sizmike?
Dokumenti që publikojmë sot është një relacion i mbledhjes së Këshillit të Ministrave në viti 1952.
Në këtë mbledhje, Mehmet Shehu shprehet se vendi ynë ka rrezikshmëri të lartë për tërmetet, duke iu referuar një studimi të italianëve me në krye inxhinier Morrellin ku thuhej se Shqipëria vjen e dyta pas Japonisë si zonë sizmike.
Po sipas këtij studimi, kryeqyteti i vendit ishte epiqendra dhe për këtë arsye ndërtimet duhet të beheshin të sigurta për të përballuar tërmete të forta deri në 7 ballë.
Nërkohë specialistët tanë e rrëzonin si ide duke thënë se në studimet e Morrellit ka ekzagjerime dhe se Shqipëria duhet të ndiqte rregullat e ndërtimeve që përdorte B.S”.
Pra, deri më tani nuk është provuar pretendimi i inxhinierit italian, së paku në raport krahasues me Japoninë. Megjithatë, jo vetëm Shqipëria por i gjithë rajoni, është shndërruar në një lloj mini Japonie prej lëkundjeve të shpeshta, tashmë dhe me të ankthshme pas tërmetit fatal të fundnëntorit 2019-të me 51 jetëhumbje dhe shkatërrime katastrofale në Shqipërinë e Mesme për një vend si i yni. /sarandacity.al/