Në një intervistë në Samitin e Qeverisë Botërore në Dubai, Elon Musk tha se fundi i vitit 2023 do të ishte një kohë e mirë për t’u larguar nga pozicioni kryesor në Tëitter.
Më pas, siç thotë ai, kompania duhet të jetë në një pozicion stabil. Në dhjetor, Musk pyeti ndjekësit e tij nëse duhet të largohej nga posti i CEO-s së Twitter-it, duke pretenduar se do të dëgjonte zërin e publikut.
Kujtojmë se në sondazh morën pjesë 17.5 milionë njerëz, nga të cilët 57.5 për qind votuan që Musk të largohej nga pozicioni kryesor i kompanisë.
Musk i pranoi rezultatet e sondazhit pozitivisht dhe së shpejti njoftoi se do të tërhiqej si CEO sapo të gjente dikë “mjaft të çmendur” për të marrë detyrën.
Ka kaluar një kohë që atëherë, dhe kreu i Twitter-it ka zbuluar vetëm tani në Samitin e Qeverisë Botërore në Dubai se kur mund të ndodhë kjo.
“Mendoj se duhet ta stabilizoj kompaninë dhe të sigurohem se është në një pozicion të shëndoshë financiarisht dhe se plani i produktit është vendosur. Mendoj se fundi i vitit do të ishte një kohë e mirë për të gjetur dikë tjetër për të drejtuar kompaninë, sepse mendoj deri në fund të vitit ne duhet të jemi në një pozicion të qëndrueshëm”, tha Musk në një intervistë në internet.
Për ta sjellë Twitter-in në një gjendje stabile, duhet shumë punë, pasi siç thotë Musk, është një “start-up i kundërt”. Por duket se Musk-ut nuk i mungon puna, pasi ka theksuar se puna e pushton që nga momenti kur zgjohet deri sa të flejë. Ai thotë se punon shtatë ditë në javë dhe fle gjashtë orë në natë.
“Nuk është qëllimi im të punoj si i çmendur, një javë 80-orëshe do të ishte mirë. Për këtë do të përpiqesha”, përfundoi Musk në bisedë. /sarandacity.al/