Më një fitore në nivelet të pamëshirshme në Lokalet e së dielës, kryeministrit Rama do i duhet të zbrapset paksa nga përbetimet e fushatës për mosbashkëpunim me kryetarë të mundshëm të dalë nga Berisha-Metaj, edhe më argumentin politik të “non grata”-s.
Por më tepër, Rama ia atribuonte mosbashkpunimin pikërisht frymës së kundërshtarëve, duke thënë se e ka këtë nga përvoja e tij.
Por mbrëmë ai bëri tërheqjen e parë, duke thënë se “është diçka që ne do ta shikojmë rast pas rasti”.
“Nëse do të ketë kryetarë bashkish që të jenë proaktivë dhe të vënë interesat e komunitetit mbi axhendat politike dhe do të duan të bashkëpunojnë me qeverinë si partnerë në shërbim të komunitetit, ne nuk kemi asnjë problem me këtë dhe përkundrazi ne e kemi për detyrë dhe për privilegj që t’i shërbejmë çdo anëtari të bashkësisë sonë në të 28 mijë kilometrat katrorë të Shqipërisë”, ishte deklarimi i të parit të qeverisjes.
Por si reaguan dy opozitarë pas fitores, të dyshes Berisha-Metaj?
Albert Mëlyshi i Mirditës u tregua siç e kërkon Rama dhe siç duhet të jetë realisht në realpolitikën aktualee shqiptare.
“Rinovoj ftesën time ndaj kryeministrit të Shqipërisë për një kafe në Rrëshen, si djalë i mirë e si Kryetar Bashkie i mirë, për projekte të rëndësishme që dua t’i paraqes sa më parë për zhvillimin e Mirditës”, ishte deklarata e tij. Për këtë meriton një bravo të madhe.
Por krejt tjetër është treguar ai i Kavajës, Fisnik Qosja. Nën eufori fitoreje, me dy gishtat lart të arkaizmit politik të Berishës, atij duket se i ka mbetur ora në vitet ’90-të.
“Kavaja dhe kavajasit sot janë zemra e Shqipërisë. Një shpresë e madhe për një fillim të ri për të gjithë e që ngroh zemrat e mijëra shqiptarëve si në kohërat e saj më të lavdishme. Kavaja sonte është një magjepsje. Mirënjohje përjetë”, shkroi ai, duke iu dhënë pa fre emocioneve politike e jo urtësisë politike. /sarandacity.al/