Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në një takim informues për biznesin mbi pronësinë industrial të organizuar nga drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, në qytetin e Sarandës.
Ministrja vlerësoi rëndësinë e regjistrimit të markës dhe patentës së një produkti apo biznesi, si një hap i parë në rritjen e konkurrencës së ndershme në treg.
“Unë do të doja që produkti shqiptar nga #hashtag tek kafeneja, tek kremi i duarve, tek një markë tjetër prodhimi, tek një reçel, të ketë një markë, e cila jo vetëm thotë emrin e personit që e ka krijuar atë që në momentin që vendosi emrin e biznezit, që buroi nga zemra, por në vetëvete ka menduar sesi do ta çojë atë jo vetëm tek tregu, por deri tek perceptimi i secilit qytetar që do ta blejë”, u shpreh ministrja.
Ndërsa duke iu referuar qytetit të Sarandës, të cilin çdo vit e vizitojnë mijëra turistë, ministrja Denaj, tha se ka një avantazh: ajo preket nga të huajt dhe kjo prekje ndodh në të gjitha produktet.
Drejtore e Përgjithshme e DPPI, Ledina Beqiraj, duke iu shpjeguar bizneseve procedurat e regjistrimit, u shpreh se si çdo pronë tjetër, e luajtshme apo e paluajtshme duhet të mbrohet, sepse nëse ju nuk e mbroni, nuk keni një akt që tregon se jeni mbajtës të saj dhe atëhere nuk mund të kërkoni mbrapsht benefitet që vijnë nga mbrojtja.
Që nga muaji korrik 2020 tashmë Drejtoria e Pronësisë Intelektuale është bërë pjesë e E-albania, ku biznesi mund të aplikojë direkt pa qënë nevoja për tu paraqitur fizikisht pranë DPPI.
Shqipëria që prej vitit 1993 është shtet anëtare e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe çdo vit nga kjo organizatë lancohet një slogan i dedikuar. Për këtë vit slogani është “Biznesi tek Pronësia Intelektuale”. /sarandacity.al/
https://youtu.be/M8nEJ6QaDss