Mediat greke shkruajnë se arrestimi i 59-vjeçarit Adrian Zeko ka zgjuar ankthin tek familja e viktimës, Zeneida Selimai. Raportohet se Zeko jetonte në apartamentin ngjitur me familjen tjetër shqiptare dhe menjëherë pas vdekjes së të miturës u zhduk pa lënë gjurmë.
Por pas arrestimit dhe publikimit të të dhënave të tij nga policia greke, prindërit vendosën të fillonin procedurat për rihapjen e dosjes së vrasjes së vajzës së tyre.
Kështu në ditët në vijim, 59-vjeçari Adrian Zeko pritet të dëshmojë para hetuesit se çfarë di për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën 12-vjeçarja, pasi policia ka vërtetuar se ishte ai që e pa vajzën e vogël duke u djegur në hyrje të banesës. Kriminologia, Gianna Panagopoulou tha se familja e 12-vjeçares ka bërë një luftë të madhe për të zbardhur vrasjen e vajzës së tyre.
“Ne po luftojmë fort për të sjellë prova para drejtësisë për të hedhur dritë në çështjen e vajzës së re të Zeneida. Ne po e marrim të arrestuarin në pyetje. E mbështesim akuzën e vrasjes me dashje në një gjendje të qetë mendore”, u shpreh ajo.
Ngjarja
Ishte e premte, 23 shtator 2011, kur prindërit e Zeneida Selimai nga Shqipëria u larguan nga banesa e tyre për të shkuar në punë. Nga ana tjetër gjyshi shoqëroi djalin më të vogël të familjes në shkollë dhe 12-vjeçarja mbeti vetëm në shtëpi. Autori i krimit dyshohet se u fut në banesë dhe u përpoq të përdhunonte të miturën. Por 12-vjeçarja arriti të shpëtonte nga duart e tij dhe e zhveshur nga beli lart filloi të zbresë shkallët për të dalë në rrugë dhe të kërkuar ndihmë. Në këtë moment autori e leu me naftë dhe i vuri flakën. Si pasojë e flakëve e mitura pësoi djegie të shkallës së rëndë që i morën edhe jetën.
Në ditët e para të ngjarjes, autoritetet folën për vetëvrasje. Por më pas duke parë dinamikën e ngjarjes autoritetet fajësuan gjyshin e saj dhe procesi i hetimit nuk u mbyll kurrë, për aq kohë sa nuk u gjet fajtori.
Por pas ekspertizës së bërë trupit të të miturës 10 vite më parë, disa gjurmë u gjetën në organet gjenitale të fëmijës. Ekzaminuesit mjekësorë dolën në përfundimin se ishte autori i krimit ai që i ka vënë flakën vajzës për të fshehur provat që do të tradhtonin krimin e tij seksual. /sarandacity.al/