Alket Qendro, drejtor i Portit të Sarandës, njëherësh një nga figurat e PS-së lokale, deri dje ish-kreu i Tatim-Taksave, ka reaguar ashpër ndaj një mediaje të Tiranës, e cila ka shkruar për një dënim ndaj tij me gjobë shumë vite më parë.
Për Qendron, kjo është një punë e pisët, e cila nuk do mund ta zbrapsë.
“Të nderuar miq! Si në çdo zgjedhje dhe në çdo përgjegjësi që marr, ka ca llumra dhe ca fundërrina që i merr malli për fotografinë time. Ka ca lëtyra e ca njerëz të dështuar që i tremb kontributi im..i llahtaris. Janë nga ata njerëz të vegjël që kërkojnë të arrijnë duke shkelur mbi të tjerët, duke vjellë e duke shpifur.
Janë nga këta që të sulmojnë familjen, shoqërinë, bashkëpunëtorët e çdo gjë tjetër me lloj-lloj ndyrësish e shpifjesh”, janë disa nga frazat nervoze të Qendros, nisur nga fakti se ndaj tij është përcjell një letër në redaksinë përkatëse, e cila ka patur atë si objekt denoncimi.
Sa i përket dënimit, Qendro sqaron në reagimin e tij:
“Në 2014 kur mora detyrën e drejtuesit të Drejtorisë Tatimore Sarandë nxituan të nxirrnin nga arkivat një vendim, ku krimi më i madh imi është 30.000 lekë gjobë ‘për pengim të zbulimit të së vërtetës’.
Pra, me pak fjalë, para 21 vitesh ‘nuk tregova shokët’.
Mirëpo nuk e dinin që një vepër e tillë ishte parashkruar dhe unë kam një Dëshmi Penaliteti të pastër”, shkruan Qendro.
Sipas tij, drejtoria që ka drejtuar ka qenë ndër më të mirat në vend, pra nga performanca e treguesve nën drejtimin e tij. E tani gjykon Qendro, “dicka i ka shqetësuar”.
Po ai përbetohet se nuk do dorëzohet nga këto lloj presionesh. /sarandacity.al/