Ditën e djeshme, takimet elektorale në Sarandë kanë qenë shumë ndryshe nga deri tani.
Anila Denaj, kandidate e PS-së ka gjetur mikpritje në familjen Sadiku, Bardhi dhe Gozhdari në Çukë, të Sarandës.
“Mikëpritje si e çdo familjeje tjetër shqiptare, kur të hap derën e shtëpisë dhe të ofron mbështetjen e plotë”, shprehet Denaj pas këtyre takimeve.
Nga ana tjetër “perandoria Murtaj”, siç e cilëson Ina Zhupa, kandidate e PD-së ka mbushur shkallët e stadiumit me të flaktët demokratë.
“Takim madhështor organizuar nga ‘Perandoria Myrtaj’ në Sarandë.
Familja, farefisi, miqësia e Vëllezërve Myrtaj tregoj sot më fuqishëm se kurrë, se së bashku do ja dalim të bëjmë ndryshimin më 25 prill”, shprehet e bindur Ina Zhupa pasi ka takuar këtë familje.
Ina Zhupa ka takuar gjithashtu përfaqësues të fiseve Llanaj dhe Cakalli.
“Të djathtë të respektuar, të mirëshkolluar por edhe të goditur nga pushteti që nuk i do njerëzit e dijes dhe të punës”, i përshkruan Ina Zhupa këto dy fise.
E ka përmbyllur gjithashtu takimin elektoral me përfaqësues të fiseve Muço dhe Mejdi.
“Privilegj dhe përgjegjësi mbështetja nga dy fise të nderuara Muço dhe Mejdi.
Së bashku kërkojmë mbështetje tek çdo qytetar i ndershëm dhe do marrim fitoren për çdo qytetar”, shprehet Ina Zhupa.
Ka filluar numërimi mbrapsht dhe po ndihet se fushata elektorale tashmë është një fushëbetejë që kërkon çdo armë. /sarandacity.al/