Ishte 23 prilli i vitit 2014 kur INUK realizoi një prishje me shpërthim në ishujt e Ksamilit. Në vendngjarje do ishte i pranishëm vetë kreu i Policisë Ndërtimore të asaj kohe, Fatmir Meta.
Ndodhte kjo në periudhën e parë të qeverisjes së PS-së, ku ngjashëm u shembën dhe shumë ndërtime të paligjshme, ku veçon i ashtuquajturi “Pallat i Bashës” në Vlorë.
Por ndërsa u shkatërrua një strukturë, kjo nuk i pengoi të eturit për fitime nga magjia e Ksamilit që të vijojnë aktivitetit aty. Jo ndoshta me struktura të mëdha por aq sa për t’u ngulitur deri në ardhjen e një kohe kur mund të avancojnë më tej, siç ka ndodhur që nga vitet 90-të e më pas, por sidomos në 20 vitet e fundit, ku një barakë e djeshme është sot një pallat ose një hotel.
Nga ana tjetër, dëmi më i madh, ai që s’e rregullon më tritoli shtetëror i ligjit, është bërë. Fjala është për pjesën e kafshuar të terrenit të gjelbërt të ishujve, i pacenuar e i virgjër prej kur Zoti e krijoi këtë tokë.
Eshtë një dëm estetik e naturor në nivel masakre.
Gjersa nuk është mundur të frenohet ky kafshim mizor, ajo që prishet më pas nuk ka asnjë vlerë. Siç dhe mund të vërtetohet qartë nga pamjet. Ndërkohë, duket në sfond kafshimi dhe i terreneve të tjera përballë Ksamilit, të shtuara gjatë dy viteve të fundit.
Gjithashtu duhet kujtuar se çdo aktivitet aty është i paligjshëm, pasi ishujt kanë statusin e “Zonës së Mbrojtur” /sarandacity.al/