Duket se PD po e shndërron në strategji pretendimin se fitorja aktuale e PS-së në shkallë vendi vjen, si pas saj, si rezultat i një selektiviteti kutish për numërim.
Janë dhe dy deklarime të fundit që e thonë këtë, ku njëherësh shprehet bindja se ajo ka fituar e PS ka humbur.
Nga Grida Duma u tha:
“Pa asnjë dyshim, shqiptarët kanë votuar Partinë Demokratike dhe ndryshimin dhe presim që nga çasti në çast ky rezultat final të përcaktojë dhe fitoren që në fund të këtij numërimi duhet të jetë në fakt i merituar dhe e duhura për shqiptarët”.
Pasoi zëdhënësja e PD Floriana Garo:
“Numërimi faktik i votave do të ketë vetëm një rezultat: fitore për Aleancën për Ndryshim. Edhe tani, me numërimin e qendrave të votimit që janë qendra kryesore të votimit për PS-në, ne shohim se Aleanca për Ndryshim po sjell rritje të jashtëzakonshme. Prandaj, kini durim! Çdo votë do të numërohet. Çdo zë do të dëgjohet. Ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur pastërtinë e zgjedhjeve. Ne jemi absolutisht të sigurt se në fund të numërimit të gjithë qytetarët e Shqipërisë do të shohin sa e madhe është fitorja jonë. Qytetarët e Shqipërisë e duan ndryshimin. Qytetarët e Shqipërisë kanë zgjedhur ndryshimin. Ne do të fitojmë qartësisht”. /sarandacity.al/