Pas përfundimit të zgjedhjeve qendrore, PD Sarandë duket se është rimbledhur në dy dalje publike.
E para ka qenë deklarata për shtyp e kryesisë së PD-së në mbështetje të Kryetarit Basha, por edhe për të bërë publike arritjen e kësaj dege në shtimin e numrit të votave.
Ndërkohë, aktiviteti i dyte ka qenë një takim falenderues që deputetja Ina Zhupa ka zhvilluar me komisionerë të kësaj force në zgjedhjet e 25 prillit.
Por ajo që vihet re në të dyja këto aktivitete publike është mungesa e kandidatit Jolio Dine, njëheraz anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.
Pas zgjedhjeve Dine është parë vetëm me një status publik ku ka falenderuar miqtë e bashkëpunëtorët e tij për sigurimin e 2117 votave në rang Qarku, ndërkohë që në një tjetër rast ka falenderuar televizionin Top Channel dhe gazetarin Artur Bibe, te cilët rritjen e numrit të votave të PD-së në Sarandë ja dedikuan pikërisht kandidatit Dine për shkak të faktit që ishte i vetmi qytetar sarandiot në listat e demokratëve.
Sarandacity.al pak ditë me parë përcolli dhe një reagim finok të gazetares Shpresa Dine, e cila mes rreshtash linte të kuptonte për një tentativë për të “goditur pas shpine” kandidatin Jolio Dine, por që nuk u realizua dot nga “autorët” e saj që më së shumti kuptohej se ishin “brenda llojit”. /sarandacity.al/