Me anë të një shkrimi në FB të titulluar “Saranda e kohëve të Klonit”, kolegu Thoma Nika ofron një përshkrim interesant të dy lagjeve të qytetit, se si u profilizuan ato në kushtet e izolimit komunist në raport me Perëndimin e ndaluar.
“Dy lagje me emra filoitalian dhe proamerikan”, shkruan Nika, duke vijuar më tej zbërthimin:
“Është e pabesueshme, por shumë e vërtetë. Një lagje e Sarandës në kohën e “telave me gjëmba” dhe të mureve ideologjikë, mbante sinonimin Lagja Rai. Ajo që sot quhet Lagja Kodër.
Vetë kjo mbiquajtje ishte një karshillëk ndaj regjimit.
Quhej kështu, pasi kanalet televizive italiane, atje dilnin pa patur nevojë për mekanizmin e të ashtuquajturave ‘kanaçe’. Valët e televizioneve italiane vinin me sinjal të plotë në çdo apartament, si të ishin ngritur në tokë italiane dhe banotët të ishin ‘italiano vero’. Se ishte koha kur pallatet nuk ia zinin detin dhe dritën njeri.tjetrit. Të gjithë shikonin detin për nga Korfuzi, kryesisht.
Një lagje tjetër, hyrja e Sarandës, ose Lagja Nr 1, mbiquhej Lagja Amerikane, ngase ajo banohej në shumicë nga familjarë ose pasardhës të të emigruarve në Amerikë. Nga Amerika, që na dukej një planet tjetër, në atë Lagje hynin gati çdo muaj, dërgesa në dollarë. Dollarët nuk i merrnin kurrë, sepse ato konvertoheshin në lekë, me kursin që i donte qejfi shtetit të kohës.
E dollarët e konvertuar, në të shumtën e rasteve konvertoheshin në shtëpi vila, duke e bërë të dallueshme këtë lagje nga të tjerat, si në arkitekturë edhe në mënyrë jetese.
Duhej të ishe me fat, të ishe dhëndër në Lagjen Amerikane.
E akoma më me fat ndjeheshe, nëse autorizimi që të bënte me apartamentin e shumëpritur nga shteti, të qëllonte në Lagjen Rai.
Dy në një: edhe me ‘një çati mbi kokë’ në lagjen më panoramike, edhe me “dritaren” nga Italia e Sanremos, Hit Parade etj etj.
Edhe brenda “telave me gjëmba” Saranda shprehte hapur dhe qartazi, me këto emra të mbivendosur në dy lagje, orientimin e papenguar dot filoitalian e proamerikan”. /sarandacity.al/