“Policia greke ka identifikuar fshatrat malorë grekë të Thesprotisë në kufi me Sarandën, të Konicës në kufi me Përmetin si dhe zonën e Delviqanit në kufi me Gjirokastrën si ‘portat’ kryesore hyrëse të kanabisit shqiptar në Greqi”, thuhet në një shkrim të fundit të BIRN-it me titull “Korrierët e kanabisit eksplorojnë rrugë të reja në kufirin me Greqinë”.
Shkrimi i referohet më tej rrëfimit të një efektivi policie në lidhje me këtë fenomen.
“Një oficer i Antidrogës, që foli me BIRN me kushtin e anonimatit, tha se fotot e postuara së fundmi nga Frontex ishin të ngjashme me shumë raste të tjera të sekuestrimit të kanabisit, si në anën shqiptare ashtu edhe atë greke.
‘Çantat janë në ngjyrë të zezë, që të mos pikasen gjatë natës nga oficerët e kufirit me dylbi dhe janë gjithashtu të mëdha, pasi marrin 40-60 kilogramë dhe i rezistojnë shiut në shumicën e rasteve’, tha oficeri.
‘Edhe lënda narkotike e bllokuar është e paketuar dhe e mbështjellë me natriban për t’i rezistuar qëndrimit në shi apo në diell,’ shtoi ai.
Oficeri shqiptar i antidrogës shtoi gjithashtu se trafikantët e drogës po rekrutonin djem të rinj, të cilët e marrin përsipër rrezikun për shuma të vogla parash, që sipas tij nuk i kalojnë 100- 200 euro për rrugë.
‘Kanabisi trafikohet nga të rinj që jetojnë në fshatrat shqiptarë buzë kufirit apo të ardhur nga zona të tjera, por që i njohin mirë udhëkalimet,’ shpjegoi punonjësi i policisë, që ka mbuluar më parë territorin kufitar të Sarandës.
Ai theksoi se pavarësisht arrestimeve dhe kontrolleve të përbashkëta, një pjesë e tyre arrijnë sërish të depërtojnë në Greqi, pasi policia ka pak mjete në dispozicion për të kontrolluar të gjithë vijën e gjelbër”, shkruan BIRN. /sarandacity.al/