Eshtë dhënë sinjali i parë nga PS që Fatos Nano mund të jetë kandidatura e selisë rozë për të pasuar Ilir Metën në postin e presidentit, pasi parlamenti ta shkarkojë këtë të fundit, siç e ka bërë në plan.
Ideja ka ardhur nga një zë joqëndror në PS, siç është deputeti Xhemal Qefailaj, por që përkon me atë që nuhatet prej kohësh, që Nano sërish mund aspirojë kreun e shtetit, tashmë që dhe Meta duhet të largohet aty, e ai, edhe brenda një konteksti politik të caktuar, duhet t’i zërë vendin atij që bëri çmos dhe ia arrit ta rrëzojë nga pushteti në 2005 me LSI-në e tij përçarëse të së majtës.
“Nano është personalitet në PS, kontribuues që në formimin e saj dhe drejtimin e PS dhe pse jo është një kandidaturë e përshtatshme nëse pranon”, ka thënë Qefaliaj, por nuk dihet nëse është ide e tij personale apo përcjellje e atyre që mund të përfliten në sallonet e pushtetit.
Siç dihet, Nano prej kohësh po jeton me Ramën një pranverë marrëdhëniesh, ndryshe nga ai dimër i vitit 2012 mes tyre, kur Rama nuk pranoi që PS, ahere në opozitë, të propozonte emrin e Nanos për president, siç ky i fundit ia kërkoi.
Kujtojmë se Nano u rrëzua nga pushteti në kohën kur u zgjodh deputet i Sarandës, pra në vitin 2005. /sarandacity.al/