Infrastruktura rrugore është një element i rëndësishëm sidomos në prag sezoni në Sarandë, pasi turizmi pritet të jetë vendimtar në rritjen ekonomike që Saranda synon për vitin 2021.
I ftuar në emisionin “E-Zone” në Vizion Plus ishte Ergys Verdho, Drejtor i ARRSH-së, i cili foli për ndërhyrjet që do të kryejë Autoriteti Rrugor Shqiptar e konkretisht në ato segmente rrugore që të sjellin në Sarandë e Ksamil.
“Në bypassin e Vlorës është shtruar 20 km dhe ka ngelur pa shtruar vetëm 9 km, këtë sezon turistik ne po marrim masa që në korrik të bëhet një hapje e pjesshme me konglomerat dhe vijëzim të verdhë për të shfryrë trafikun e korrik-gushtit.”, u shpreh gjatë intervistës Ergys Verdho.
Ndërsa për segmentin Kardhiq-Delvinë drejtori i ARSH është shprehur se: “Nga 1300 metra që është tuneli, punimet kanë mbaruar për 500 metra, ne shpresojmë që në fund të tetorit ne të shohim dritë në fund të tunelit. Ambicia e ARRSH është që në verën e ardhshme të jetë funksional”. /sarandacity.al/