Syri i Kaltër, monument natyre, zyrtarisht është nën juridiksionin e Bashkisë së Finiqit. Kjo, që nga ndarja e re territoriale në 2015-ën.
Në takimin e sotëm të nisjes së punimeve për këtë rrugë ministri Klosi pyetjes si dhe nga kush do të menaxhohet Syri i Kaltër, iu përgjigj: “Do të menaxhohet nga Ministria e Mjedisit”.
Ndërkohë, në një bisedë telefonike të Sarandacity me kryetarin e Bashkisë së Finiqit Kristaq Kiço, ndërsa nuk ishte në dijeni që nisnin punimet sot, u shpreh:
“Habitem se nuk më ka njoftuar njeri, normalisht unë duhet të isha.
Ne si bashki nga Syri i Kaltër vjelim taksën nga subjektet tregtare që operojnë aty, njëherëzi bëjmë dhe pastrimin e territorit.
Këto i bën bashkia jonë, ndërsa të ardhurat nga turizmi i shkojnë Ministrisë së Mjedisit.”
Ndërkohë, duhet kujtuar se ajo çfarë vuan Delvina në bindjen e qytetarëve të saj mbi arsyet e rënies së thellë ekonomike vitet e fundit, është dhe ajo që i morrën shumë pasuri me reformën territoriale, përfshirë dhe Syrin e Kaltër, e cila i përkiste Delvinës, më saktë, Ndërmarrjes Pyjore të atyshme.
E nga ana tjetër, pakkush e di që Syri i Kaltër është pronë Vakuf e Komunitetit Musliman Shqiptar por e humbur me letra, për shkak të një afere të panjohur për publikun, ndodhur vite më parë, ku ka marrë pjesë dhe shteti.
Fjala është për atë kohë kur përflitej për për projektin që uji i Syrit të Kaltër të çohej me tubacion në Itali. /sarandacity.al/