Ajo çfarë vuan Delvina sot, me një rënie të frikshme ekonomike, deri degradim social edhe prej zbrazjes së qytetit, të paktën sipas gjykimit të banorëve të saj, është reforma territoriale e vitit 2015.
Në bindjen e shumëkujt aty, kjo reformë i morri Delvinës shumë resurse të zonës, duke i hequr njëherësh shumë të ardhura. Dhe nga kjo përfitoi Finiqi, pasi i kaluan kësaj bashkie shumë prej pasurive apo të ardhurave të Delvinës.
Edhe në mos qoftë saktësisht kështu, sipas ndonjë përllogaritjeje të imët financiare, një tregues nga Bashkia Finiq e përforcon këtë bindje.
Kështu, sipas Raportit të Financave Lokale, publikuar nga revista Monitor, Finiqi është kampion të ardhurash lokale në jug.
“Burimet financiare përfshijnë të ardhurat që mbledhin vetë bashkitë nga taksat dhe tarifat si dhe transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara nga buxheti qendror. Këto para, bashkitë më pas i shpenzojnë për nevojat e tyre administrative (paga e shpenzimeve të tjera korente) si dhe për investime kapitale e të tjera (arsim, çerdhet etj)”, shkruan Monitor dhe më pas detajon:
“Bashkitë e Dropullit, Himarës, Kolonjës, Finiqit, Këlcyrës dhe Libohovës kishin burimet financiare më të larta për frymë të popullsisë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, gjatë vitit 2020 rritja më e madhe vjetore e burimeve financiare u vu re në bashkinë e Finiqit me 104%, në bashkitë e Kolonjës 61%, Kurbinit 59%, Dropullit 50%, Rrogozhinës 47%.
Ky zë vlerësohet do të ndikojë pozitivisht në rritjen e burimeve financiare të bashkive edhe përgjatë gjysmës së parë të vitit 2021 (rritja e pagesës së ndihmës ekonomike dhe të paaftësisë)”.
Pra, Finqi, edhe pse me popullsi të pakët, deri në asfiksi të jetës sociale dhe ekonomike në disa qendra banimi, ku vetë Finiqi shfaqet i tillë, gëzon të ardhura për t’u patur zili. /sarandacity.al/