Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi thotë se operacioni “Bregdeti Ynë, nisur të hënën përgjatë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil, do jetë “fundi i marrëzisë së ndërtimeve pa leje”.
Duke bërë një bilanc 6-ditor të asaj çfarë ndodhi në terren, ai shkruan:
“Plot 35 objekte me strukturë betoni dhe metalike të ngritura pa leje janë shembur në Ksamil, Sarandë e Velipojë në vetëm 6 ditët e para të operacionit ‘Bregdeti Ynë’. Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 5 persona, ka shpallur 1 në kërkim dhe disa të tjerë i ka proceduar penalisht që prej nisjes së këtij operacioni, i cili është veçse fillimi i fundit të marrëzisë për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territor sipas dëshirës. Lajm i mirë që për 10 objekte kanë qenë vetë ndërtuesit e paligjshëm që i kanë shembur dhe po vetë i kanë hequr inertet”.
Ai përbetohet se operacioni do të vijojë, pasuar dhe me ndëshkime.
E gjithë vija bregdetare nga Velipoja në Ksamil do të pastrohet njëherë e mirë nga çibanët e ngritur prej babëzisë për të fituar në kurriz të zbatimit të ligjit e mbrojtjes së mjedisit. IKMT dhe Policia e Shtetit do ta shtrijnë këtë operacion edhe në zona të tjera për ta çliruar përfundimisht bregdetin nga shkelësit e ligjit, të cilët kurrsesi nuk do t’i ikin përgjegjësisë për këto ndërtime”, shkruan Çuçi. /sarandacity.al/