Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksioni i SPAK në jug të vendit, ku gjatë hetimeve për një grup droge, kanë dalë në përgjime dhe disa zyrtarë siç ishte prokurori Sali Hasa, punonjësi i OPGJ-së Napolon Hodaj, arbitri Qerim Ruçi, dhe një zyrtar i klubit të Përmetit Bledar Hajredini, të dyshuar për korrupsion.
Mësohet se të 6-të personat e arrestuar janë pjesë e hetimeve të ndryshme.
Në rastin e prokurorit, ky i fundit kishte nën hetim shtetasin Emiljano Mirani, i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta, por që ka pushuar çështjen ndaj tij pas ndërhyrjes së motrës së të dyshuarit, Elsona Papa, e cila është lënë në “arrest shtëpiak”. Kjo e fundit dyshohet se i ka dhënë ryshfet prokurorit për të shpëtuar vëllain.
Sali Hasa njihet si prokurori që ka nën hetim disa zyrtarë të Sarandës, të akuzuar kryesisht për “shpërdorim detyre”.
Ndërkohë që sa i takon oficerit të policisë gjyqësore Napolon Hodaj, ai mësohet se ka ndikuar në lirimin nga akuzat të një personi, që sot është shpallur në kërkim policor, për vepra të rënda penale.
Nga ana tjetër, të gjithë personat e arrestuar që kanë lidhje me sportin, pëfshirë arbitrin apo zyrtarin e klubit sportiv të Përmetit, dyshohen për fiksim të ndeshjeve në tavolinë.
Më konkretisht ndeshja e cila është fiksuar prej tyre është ajo ndërmjet Selenicës dhe Përmetit, e cila është fituar nga këta të fundit përmes penalltive. /sarandacity.al/