Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti sot në zyrën e tij homologun e Athinës, Kostas Bakoyannis, të cilit i dhuroi “Çelësin e Qytetit”.
Këtë takim mes tyre, Veliaj e ndërfuti dhe në lajmin e rihapjes së kufijve.
“Ke ardhur me këmbë të mbarë, sepse sot është dita e parë e hapjes së kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke rritur kuotat derisa të shkojmë në një hapje totale.
Faleminderit që ishe pasagjeri i parë që hape kufirin dhe jam i sigurt që është një lajm fantastik për të gjithë shqiptarët dhe grekët në të dyja anët e kufirit”, theksoi i pari i Tiranës.
“Në Athinë kemi një prezencë të madhe të diasporës shqiptare, të emigrantëve shqiptarë aty, që përbëjnë një pjesë përbërëse të jetës së qytetit tonë.
Ky çelës dhe ky besim tek unë, është me themele të forta. Ne kemi detyrimin të ecim përpara me guxim dhe vendosmëri. Jo në teori, jo me fjalë, por me vepra.
Të bashkëpunojmë me të njëjtin vrull me të cilën shoh se si transformohet qyteti i Tiranës.
Me të njëjtin vrull që edhe ne dëshirojmë që ta transformojmë qytetin e Athinës dhe tani kemi rastin të bashkojmë forcat”, tha Bakoyannis. /sarandacity.al/