Spiro Iljadhi, 35-vjeçari i cili u përball me një breshëri plumbash mëngjesin e hershëm të së dielës para lokalit të tij të njohur në Sarandë, është ndaluar nga policia në funksion të hetimeve për atë që ndodhi.
Pasi kaloi rrezikun për jetën, pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale te Trauma në Tiranë, çuar aty me helikopter nga Saranda për shkak të plagosjes me disa plumba në trup, ai tani kalon në fazën e përballjes me hetuesinë për të zbardhur të vërtetën, të asaj se pse u qëllua, si dhe pse donin t’i vinin zjarrin lokalit të tij.
Por jo vetëm kaq. Sipas asaj çfarë thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë, edhe Iljadhi ka qëlluar nga ana e tij në drejtim të personave që e plagosën.
“Ndalohet pronari i lokalit, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri gjatë një konflikti me disa persona të tjerë.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në lagjen Nr. 1, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit S. I. dhe M. J., nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ndalimi i shtetasit S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ndaj personave të tjerë të përfshirë në konflikt, njeri prej tyre i ndaluar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim nga Policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, thuhet në deklaratë. /sarandacity.al/