Një kontroll blic është kryer këtë të enjte në Kadastrën e Sarandës, aksion i cili pason një të ngjashëm në Vlorë po në këtë institucion.
Burime të rezervuara flasin për një sekuestrim dosjesh, të cilësuara si të dyshimta prej abuzimeve të mundshme.
Sipas disa mediave në Tiranë, kontrolli është kryer nga Njësia Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion e Kryeministrisë.
Pronat vijojnë të jenë sektori më delikat, sidomos në qytetet bregdetare, prej aferave dhe abuzimeve të shumta.
Duke veçuar Sarandën, e cila ka dhe një vatër të nxehtë si Ksamili, komplikuar akoma dhe më shumë nga një tendencë në rritje për investime në bregdet vitet e fundit, kujtojmë se në dy vjet e gjysmë janë ndërruar katër drejtues.
Ata janë:
Armand Hysi (ndërroi jetë dy vjet më parë)
Ardi Kola
Kozeta Statha
Andri Dhima (emëruar pak javë më parë).
Gjithsesi, asnjë prej tyre nuk ka qenë i përfolur, ngjashëm siç ndodh me të tjerë drejtues apo ish-drejtues të institucioneve të ngjashme për nga delikatesa, kur është fjala për prona të paluajtshme.
Kujtojmë se një ditë më parë, kreu i Kadastrës Shqiptare Artan Lame bëri thirrje për aplikim nga ana e profesionistëve, për të qenë drejtues në këtë sektor ku kërkohet më shumë se profesionalizëm, por pa dyshim profesionalizëm, moral i lartë. /sarandacity.al/