Në Stop ka ardhur një denoncim nga Saranda. Romand Kuka është arrestuar para dy vitesh dhe sot është endenë burg për faktin e vetëm se transportoi me makinë drejt Konispolit si taksist pa licencë tre persona të cilët më pas u arrestuan si trafikant droge. Vëllai i Romand Kukës tregon me detaje se si është arrestuar dhe burgosur pa të drejtë i vëllai nga Prokuroria e Sarandës
I vëllai akuzohet për kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike, por Romandi në këtë ngjarje ka qenë thjesht një taksist dhe nuk ka lidhje fare me tre personat e tjerë, të cilët u kapën në flagrancë nga policia në Konispol.
Shkaku kryesor i dënimit të Romandit ishte deklarata e bashkëjetueses së njërit prej tre personave, që u kapën në flagrancë, Brunilda Gjikola. Ajo ka gënjyer në dëshminë para oficerëve të policisë gjyqësore, duke shpresuar të nxirrte nga burgu bashkëjetuesin e saj.
“Më kanë futur vëllain në burg. Ka punuar taksixhi në të zezë, jo me licencë, por me makinë private. Edhe ka transportuar 3 veta për Konispol. Këta e kanë marrë si taksixhi, i kanë thënë do na çosh deri në Konispol se do ikim për Greqi. Sa lekë do? I ka thënë vëllai dua 30 mijë lekë. I ka marrë vëllai i ka çuar në Konispol. Kur kanë zbritur në Konispol, kanë harruar një qese buke në makinë në sedilje të pasme. Vëllai ka marrë qesen e bukës dhe u ka thënë keni harruar qesen, urdhëroni merreni. Kur kanë ikur këta, kanë vajtur lart në mal, diku kishin fshehur drogë. Janë kapur në mal me çanta hashashi. Vëllai im ishte në shtëpi se i kishte çuar në Konispol edhe ishte kthyer në shtëpi. Kur kapen këta, u kishin bërë presion policët, këta thanë që na ka sjellë filan makinë. Si e ka emrin? Filan person, i kishin treguar dhe emrin. A ka pasur gjë në makinë ai personi? S’ka pasur asnjë gjë në makinë, na ka sjellë neve, nuk ka pasur asnjë gjë. I kanë marrë këta, i kanë çuar në polici edhe pastaj kanë shkuar kanë kapur bashkëjetuesen e njërit prej këtyre, Brunilda Gjikola, kanë shkuar i kanë thënë që do vish të dëshmosh siç të themi ne që të nxjerrim burrin nga burgu të nesërmen. Është oficeri i policisë gjyqësore Genti Selami dhe Ermal Kodhima. Kjo ka dëshmuar çfarë i kanë thënë policët. I kanë thënë policët që do thuash se ky personi Romand Kuka ka patur gisht në këtë punë. Në qoftë se dëshmon siç të themi ne, burrin tënd do ta nxjerrim nga burgu të nesërmen.
Personi tjetër nuk doli nga burgu, u dënua më pak. I kanë bërë presion i kanë thënë që deri sa të mbyllen hetimet nuk do kesh kontakt me asnjë njeri, do kesh vetëm me neve, nuk do pranosh asnjë telefonatë, asnjë takim nga asnjë person deri sa të mbyllen hetimet. Kur të mbyllen hetimet pastaj je e lirë nga ne. Deri sa u mbyllën hetimet nuk kishim shans që të kontaktonim asnjëri nga ne. E merrnim në telefon e mbyllte direkt. Deklarata e saj dhe e vetmja provë që bazohen ata është te qesja e bukës kanë kapur një shenjë gishti të vëllait tim, te qesja e bukës që u harrua në makinë. I kanë marrë telefonat por nuk kanë gjetur as përgjime, as mesazhe, asnjë gjë nuk kanë gjetur. Vetëm për këto dy gjërat, edhe këto dy gjërat i kanë bërë oficerët e policisë gjyqësore Genti Selami dhe Ermal Kodhima. Këta që janë kapur me drogë janë dënuar më pak. Kurse vëllai im që s’ka qenë fare në vendngjarje është dënuar më shumë se këta. Vëllai është i martuar, ka një çun dhe me atë makinë jetonte ai. Kjo ngjarje ka gati 2 vjet e gjysmë që ka ndodhur”, thotë vëllai i Romand Kukës.
Emisioni Stop mundi që të identifikojë dëshmitaren Brunilda Gjikola, e cila në një regjistrim me kamera të fshehtë pranon se gjithçka ka qenë e rreme dhe Romandi rri kot në burg. Brunilda thotë se nga frika dhe kompromisi i premtuar për partnerin, ajo gënjeu duke deklaruar se Romandi ishte organizatori i grupit.
Stop-Kjo është ideja, që të kuptojmë ka Mandi faj në këtë histori, është i përfshirë, apo jo?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Mandi s’ka fare faj, pikë faji. Po tani ai të detyron me thënë diçka dhe nga frika…
Stop-Po ky djali ishte polic ky atje në komisariat, të tha ty ai kshu, kshu?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Po aty isha unë, në kat të dytë, a të tretë..
Stop-Edhe si të tha?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Do të nxjerrim burrin,- më tha.
Stop-Vetëm thuaj kshu, kshu?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Po ashtu tha, atë ditë, që isha.
Stop-Po ma trego, si të tha!
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Po atë po them, do të nxjerrim burrin, ti ç’ke, ti këtej, ti andej, muhabete tonat, pyetjet, që sa herë që kam ik në orën 12:00 deri në orën 18:00, sa orë i bie t’u ndejt atje me pyetje.
Stop-Po tjetër përveç këtij, kush ishte atje?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Nuk e di, policia, po s’i di me emra, vetëm këtij, që më erdhi këtu.
Stop-Po ishte shefi i këtyre ky?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Shefi i këtyre, shefi i krimeve.
Stop-Shefi i krimeve thoshte ai?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Ëëë..
Stop-Groposi këtë tjetrin.
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Po njerëzit thonë, që i futi Bruna të gjithë, edhe për burrin tim,e ke futur ti thotë, jo unë.
Stop-Po pse thonë kështu?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Po, se ça t’i bëja unë?! Ai u kap me presh në dorë. Unë e futa?
Stop-Mirë ai u kap me presh në dorë, por s’u kap me gjë, ai thjesht ishte.
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Normale, po për ato gjëra dhe një shok tjetër, që u kap atje, s’kishte faj asnjë lloj, vetëm ça kishte përmend burri im atje, kush ka qenë, nga ai është kapur, se s’ka fare faj, e ka përmend ai, ndejti 6-7 muaj jashtë edhe e kapën në fund, kur përmendi ai emrat.
Stop-Mandi i çoi thjesht si shofer këta? Pa e ditur?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Si shofer!
Stop-S’dinte gjë domethënë, ça do bënin këta?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Jo, nuk ka dit fare, thjesht me ato ka qënë, se ato lëndët i kanë pas diku andej malit. Po ai ka qënë thjesht shofer, si i thonë taksixhi. Nuk i di emrat unë tani, vetëm atë Gentin.
Stop-Po ç’interes kishin të fusnin Mandin brenda tani, se këtë s’po kuptoj unë?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Po ç’interes, ato e dinë. Unë nuk e di, se çfarë interesi mund të kenë. Mbase kanë mendu vetëm ta kapim e t’i nxjerrin burrin kësaj.
Stop-Po realisht ta nxorrën burrin ty?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Jo, ku?! Hiç, asgjë!
Stop-Të gënjyen ato?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Më gënjyen normal, po ça kam folur unë, i kanë shkrujt ata.
Stop-Po mund të kenë shkruajtur dhe gjëra të tjera. E lexove, kur e firmose?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Jo, s’e kam lexuar, nuk të japin ato t’i lexosh.
Stop-Po si e hodhe firmën ti?
Dëshmitarja Brunilda Gjikola-Ato vetëm hidh një firmë këtu,- thanë dhe aq. Po s’kishte asnjë lloj faji, ka qënë thjesht taksixhi, asgjë më shumë.
Paradoksi është se 3 të arrestuarit që u kapën me lëndë narkotike në mal në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, u dënuan me 2 vite burgim, ndërsa Romand Kuka u dënua me 5 vite.
Provat e vetme ndaj tij kanë qenë shenja e gishtit te qesja e bukës që 3 të dënuarit kishin harruar te makina e Romandit, dhe dëshmia e Brunilda Gjikolës, që sikurse u provua nga kamera e fshehtë e Stop ka gënjyer hapur. /tvklan.al
Hey! Do you know if they make any plugins to help with Search Engine Optimization?
I’m trying to get my site to rank for some targeted keywords but I’m not seeing very good results.
If you know of any please share. Cheers! I saw similar blog here: Bij nl