Seanca e fundit e legjislaturës parlamentare 2017 – 2021, ka patur dhe të fundit perlë nga grupimi i atyre deputetëve të cilët, në 2019-ën, pas djegies së famshme të mandateve, zgjodhën të merrnin mandate si të pranishëm në listat e partive respektive.
Protagonizmi i tyre, ai ligjërimor, ka qenë mes komikes dhe tragjikes. Është veçuar sidomos minoritari Kostaq Papa, nga Sopiku. Por jo ai ka qenë përmbyllësi i një cikli 2-vjeçar “gallate në parlament”.
Ishte Besnik Troplini ai i cili, duke trajtuar mos’hapjen e negociatave, i quajti zyrtarët e BE-së si langaraqë e jo vetëm kaq.
“Të gjithë shqiptarët e kishin mendjen tek takimi i Luksemburgut ku do caktohej data për takimin e parë ndërqeveritar për hapjen e negociatave. Kjo nuk ndodhi.
Pse ne do i zgjidhim mosmarrëveshjet që ka Maqedonia me Bullgarinë. Brukseli ka qeveri me dy fytyra. Nuk e njohin fare realitetin e Shqipërisë por merren me telefonata.
Durimi e ka njëfarë kufiri.
Mos ta marrin më Shqipërinë nëpër gojë. Me kë talleni ju më mërr langaraqë!
Kush keni qenë ju. Më çdo 9 maj mblidheni. Para disa vitesh ishit në mes të rrugëve, pa brekë ishit.
Kur Berlusconi propozoi që për vendet post komuniste në Ballkan, duhet një Plan Marshall, kancelaritë mbyllën dyert. Në BE janë ca zagarë.
Vetë thanë që kemi plotësuar kushtet. Nëse nuk na doni, ne në punën tonë e ju në punën tuaj. Shqipëria ka Amerikën dhe Italinë!”, tha Troplini. /sarandacity.al/