Operacioni ndëshkimor “Bregdeti ynë” siduket nuk ka patur asnjë efekt të nje lushnjar, i cili ka vijuar të ndërtojë pa leje në Ksamil.
Së paku kështu thuhet në njoftimin policor më të fundit në lidhje me këtë lloj paligjshmërie epidemike në Shqipëri.
“Kryente ndërtime pa leje, vihet në pranga pronari i objektit ku po kryeshin punimet.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë gjatë kontrollit të territorit në Ksamil kanë konstatuar se brenda vijës së verdhë po kryhej një ndërtim pa leje.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’, i shtetasit R. B, banues në Lushnje.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u konstatua në vendin e quajtur ‘4 Valltarët’, Ksamil, duke ndërtuar një objekt me kostruksion metalik, i papajisur me leje ndërtimi nga autoritetet kompentente.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’”. /sarandacity.al/