Dhimitri, një artizan disavjeçar me plot kuptimin e fjalës, gati sa s’zë kokën me duar kur kujton këstet e një kredie që ka për të shlyer, marrë pikërisht për investimin aty, te ato sende minore, plot ojna ojna, me të cilat mban familjen. Ai end parreshtur, por më shumë trishtimin e tij, për një fat aspak të mirë, gati të zi, të cilin jua ka diktuar Bashkia.
Ai e të tjerë artizanë nuk ndodhen më rreshtuar në zemër të shëtitores, si vite e vite me radhë, ku në ato tre muaj punë sezoni arrin të nxirrnin bukën e 12 muajve. Eshtë fjala për një zanat a tregëti që gjithsesi nuk të bën me katandi. Aq më pak tani kur ata ndihen jo të akomoduar por të hedhur në një zgëq, jo në kuptimin e hapësirës por të veçimit nga shëtitorja, duke humbur pothuajse tërësisht aksesueshmërinë nga blerësi.
Më saktë, Bashkia i ka çuar në një hapësirë mbi shëtitore, ku siç thonë ata, vërtet u ka siguruar ndriçim, kanë dhe posterin adresues, por kjo, krahasuar me realitetin e deridjeshëm, ku ata ishin në shesh, gati ngjitazi me blerësin, është pothuajse një hiç, një faliment total. Nuk mungojnë dhe psherrëtimat dëshpëruese deri dhe lotët për këtë destin të ri, fatkeq sipas tyre, diktuar nga qeverisja vendore.
Sipas tyre, ky është dhe një premtim i pambajtur, pasi ju është premtuar se me shëtitoren e re do jenë sërish aty, në shesh.
Vuajnë gjithashtu një lloj padrejtësie në gjykimin e tyre, teksa shohin që pak poshtë tyre, artizanë të tjerë ndihen të privilegjuar, apo se në shëtitore tregëtohen xhingla-mingla jo artizane, deri dhe kokoshka, ndërsa ata jo, s’kanë vend aty, ndonëse ishin 15 a më shumë vite aty.
Po pse s’kanë klientelë?
Zhvendosja aty, të thonë, bëri që disa kolegë a kolege të tyre t’ja mbathnin për Ksamil, aty ku nuk janë rregullat e Sarandës. Kjo ka bërë që ambienti i tyre të varfërohet me ndoca tavolina, ku të tjerat janë bosh. Dhe ky dekor vetmipërcjellës, gati i mjeruar, bën që askush mos afrohet. Pra ndodh që, pasi ndonjë klient ngjit shkallët, sheh zbrazëtinë e atyshme dhe kthehet pas.
https://youtu.be/JM9S1vcvk5Q
Nga ana tjetër, të thonë se një ide-propozim dhënë kryetarit për një hapësirë te Plazhi i ri, ka hasur një “Harroje”të fortë dhe të përsëritur nga ana e tij.
Bilanci financiar i ditë-netëve të tyre është vërtet në kufijtë e dëshpërimit, deri në pikën sa besojnë që, nëse halli i tyre arrin të shkojë te “i madhi”, Rama, një zgjidhje mund të vijë nga ky i fundit, apo qoftë dhe nga deputetja në pritje Anila Denaj.
Përndryshe, lamtumirë dhe kjo mundësi për të jetuar! /sarandacity.al/