Me mbi 20 mijë euro, ajo po kalonte në Greqi pa i deklaruar ato.
Ndaj dhe L. F., 58 vjeçe, u ndalua nga Policia në Kakavijë.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në kontroll më të detajuar, një automjet tip Jeep.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bashkëpunim me shërbimet doganore, në një vend të përshtatur në automjet, gjetën në çantën e shtetases L. F., 58 vjeçe (pasagjere në mjet), 20080 euro, të cilat kjo shtetase nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, shtetasja L. F. u procedua penalisht për veprat penale ‘Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’”, thuhet në njoftimin zyrtar. /sarandacity.al/