Kryepolici i Shqipërisë nga Delvina, Ardi Veliu, mund të jetë sërish në shënjestër të kritikave për paaftësi të vartësve të tij, të cilët, së fundi kanë ofruar skena të rënda abuzimi.
Gjatë një operacioni anti-drogë në Tiranë, pasi iu ka ikur paq një i ndaluar me automjet, ata i janë vërsulur një gazetari që po xhironte me celular atë që ndodhte.
Bëhet fjalë për gazetarin Ergys Gjençaj, të cilin e kanë shtrirë me duar nga pas, me gjasë për t’i rrëmbyer celularin ku ishin filmuar. Qartazi ishin nervozë pasi i kërkuari iu shpëtoi nga duart, e te njeriu i shtypit nxorrën një duf momenti.
Por siç ndodh në të tilla raste, dikush tjetër ka filmuar po me celular edhe dështimin për të bllokuar të kërkuarin edhe harbutërinë me gazetarin.
Kjo ngjarje e vë sërish në shënjestër të parin e Policisë shqiptare, ku nën drejtimin e tij më e rënda që ka ndodhur me policinë ka qenë vrasja në mesnatë e 25-vjeçarin Klodian Rasha, qëlluar nga plumbat e efektivit Nevaldo Hajdaraj.
Për këtë rast u dorëhoq ministri Lleshaj, ndërsa Ardi Veliu u mbrojt fort nga Rama.
Tashmë vjen një tjetër skenë e debatueshme si mbi profesionalizmin e policisë e si mbi etikën e saj.
Për këtë veprim, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur verifikimin për veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit për tejkalim kompetencash.
SHÇBA do të kryejë çdo veprim hetimor, për të zbardhur shpejt dhe saktë dinamikën dhe përgjegjësitë, nëse ka të tilla.
Për dhunën ndaj gazetarit Gjençaj, reagoi edhe Unioni i Gazetarëve duke e cilësuar si “akt të rëndë mbi reporterin dhe arrogancë policore”.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon ashpër këtë akt dhunues dhe brutalitetin policor të demonstruar ndaj reporterit dhe kërkon vënien para përgjegjësisë së punonjësve me uniformë policie, të cilët janë aktore të kësaj dhune dhe arrogancë mbi gazetarin në detyrë”, thuhet nw reagim. /sarandacity.al/