Policia është afër zbulimit të plotë të vjedhjes së bujshme të Supermarket Halo në Sarandë, jo aq e lehtë, por që është në vazhdën e shumë ngjarjeve të rënda, të cilat, në kohën kur drejtues kryesor është Klodian Kondi, emëruar muaj më parë, po bëhen të mundura.
Kështu, Policia e Sarandës, në një aksion te befasishëm ka shoqëruar në Komisariat dy persona, një nga Saranda e një nga veriu, të dyshuar si autorë të vjedhjes së afro 300 mln lekëve në Supermarket Halo në të gdhirë të 11 dhjetorit.
Policia është ende duke marrë në pyetje të dyshuarit, por mësohet se në bashkëpunim me Prokurorinë janë siguruar prova të mjaftueshme për vënien e tyre para përgjegjësisë penale.
Edhe pse hajdutët kanë marrë DVR kryesore të kamerave të subjektit, mësohet se ata nuk kishin arritur të merrnin një tjetër server të fshehur të dy kamerave.
Pikërisht në këto pamje të sekuestruara mësohet se dallohen tre të rinj të veshur me kostume sportive me kapuç, me maskë COVID, që transportojne disa çanta ku dyshohet se janë paratë e marra nga kasaforta.
Në një filmim tjetër dallohet njëri prej të rinjve që hidhet nga kati i dytë i godinës, midis disa çarçafëve të nderrura.
Detaje të tjera nga operacioni pritet të zbulohen në orët në vijim. /sarandacity.al/