SPAK ka publikuar të dhëna zyrtare lidhur me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, duke bërë gjithashtu me dije shpalljen në kërkim të dy personave të tjerë me akuzën e korrupsionit si edhe të pastrimit të parave. Këta janë Klodian Zoto, ortak i vetëm dhe administrator i kompanisë “Integrated Technology Services”, si dhe Stela Gugullja, ortake e vetme dhe administratore e kompanisë “Albtek Energy”.
Që të tre akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash.
“Objekti i hetimeve të këtij proçedimi penal kanë qenë veprimet e kryera për proçedurën e ndjekur për lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt ‘Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë’, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate konçensioni, kontratë e cila është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqëritë tregtare ‘Albtek Energy’ sh.p.k.”, thuhet nga SPAK.
Thuhet, po zyrtarisht, se fjala është për nja abuzim në shifrën e 3.6 milion eurove. Kjo shumë i është dhënë si ryshfet pikërisht ministrit Koka.
“Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive ‘Albtek Energy’ sh.p.k. dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K., në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë ‘Albtek Energy’ sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt ‘Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë’, shpjegon SPAK.
SPAK shpjegon se e gjitha lidhet me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ku Lefter Koka, në cilësine e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa dy personat e tjerë, akuzohet se kanë pastruar para dhe kanë dhënë rryshfet në drejtim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit. Pasi është miratuar ndërtimi i inceneratorit të Elbasanit, SPAK shprehet se kompaniatë “Albtek Energy” sh.p.k. dhe Integrated Technology Services” sh.p.k. kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën për duke faturuar punë fiktive me vlerë 3.6 milion euro.
Ndaj, SPAK ka vendosur sekuestrimin e pasurise të Kokës, konkretisht, ‘Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu’ në Durrës, e cila kap vlerën e 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale. Ndërkaq të dyja kompanitë janë vendosur në sekuestro preventive, e po kështu, janë sekuestruar edhe pasuri të tjera të Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas. /sarandacity.al/