Janë publikuar fakte rreth arsyes së arrestimit të tre efektivëve policore në Tiranë, një prej të cilëve, Jashar Shehu, ka shërbyer vite më parë dhe në Komisariatin e Sarandës si agjent krimesh.
Ata, tre policë patrulle, janë kapur në shkelje dhe shpërdorim të detyrës.
Sipas ABC News, njëri prej tyre, Durim Murja në një rast u ka kërkuar kolegëve të tyre që të shkelin detyrën dhe të mos reagojnë për një dasmë që ai vetë ishte pjesëmarrës.
Ngjarja është regjistruar më datë 14 gusht të këtij viti, ku rreth orës 00:40 është njoftuar salla operative dhe efektivi Jashar Shehu për të kryer një kontroll në lagjen Shkozë, pasi tek “Kamberi” kishte dasëm me muzikë të lartë dhe shqetësonte banorët edhe pse jashtë orarit policor që parashikon mbyllje pas orës 23:00.
Efektivi Arjan Balla shkon për kontroll në këtë lokal dhe vëren se dasma po zhvillohej ende, megjithatë njofton sallën se denoncimi i ardhur ishte i rremë. Por pas kësaj e njëjta situatë përsëritet sërish pas disa minutash, pasi denoncime të tjera kishin ardhur nga qytetarët lidhur me shqetësimin që u vinte nga muzika e lartë. Pavarësisht kësaj efektivët rreth orës 01:15 dhe 01:20 kanë njoftuar se denoncimi ishte i rremë.
Ndërkohë nga përgjimet rezulton se Durim Murja i cili ishte në përgjim ishte i pranishëm në këtë dasëm dhe gjatë një komunikimi me Arjan Ballën i ka kërkuar që të mos jua ndërpresë dasmën.
Në përgjime Arjan Balla shprehet i shqetësuar për ankesat dhe presionit që i vinte disa herë nga salla operative, pasi i kishte gënjyer tre herë duke thënë se denoncimi për muzikë kishte qenë i rremë, sipas asaj çfarë raporton ABC News. /sarandacity.al/