Bashkia e Sarandës, pos menaxhimit të punëve të qytetit, do angazhohet dhe kundër dhunës gjithëçfarëshe, por sidomos asaj në familje.
Kështu, në ambientet e bashkisë është nënshkruar një dokument bashkëpunimit mes institucionesh shtetërore e shoqërore në këtë fushë. Rolin kryesor për ngritjen, konsolidimin dhe monitorimin e funksionimit të këtij mekanizmi të ngritur, e ka Bashkia e Sarandës, duke patur në krah Komisariatin e Policisë, Prokuri, Gjykatë e Përmbarim, si dhe zyrën arsimore e deri tek Shoqata “Jona”, Fondacioni “Lidia” e operatorë të tjerë socialë, që veprojnë në këtë territor.
Në bllok ranë dakort dhe nënshkruan për krijimin e një mekanizmi të vetëm koordinimi e bashkëveprimi, për të qenë parandalues, reagues e veprues në frontin e luftës ndaj dhunës në familje e kudo, sqarohet nga Bashkia.
Nga ana e kreut Adrian Gurma, si dhe pjesëmarrësve të tjerë në tryezën e sotme, u vlerësua fakti që Saranda nuk është në hartën e zonave me raste ekstreme.
Referuar statistikave, në vitin 2020 janë dhënë 37 urdhëra mbrojtjeje e 11 të tilla gjatë këtyre muajve të vitit në vijim, duke nënvizuar faktin që zbatimi i tyre ka bërë që të ndryshojë rrjedha e jetës për shumë prej viktimave të dhunës. /sarandacity.al/