Kisha fatin ta njihja këtë intelektual të shquar të Gjirokastrës dhe të Minoritetit grek, nga Dhuvjani, jo vetëm si një mësues i shkëlqyer, si inspektor arsimi që dha kontribut të madh në këtë sektor si metodist, por edhe një nga ikonat e gazetarisë sportive në jug. Mos harrojmë, edhe si një komentator të talentuar.
Por e çuditshme: 40 vjet në arsim, në detyrën e inspektorit, me një përvojë të madhe, metodist dhe organizator mjaft i mirë, asnjëherë nuk u vlerësua me dekorata apo vlerësime të tjera.
Arsyeja ishte e thjeshtë dhe e ka ndjekur terë jetën: biografia.
Babai ishte farmacist dhe kish mbaruar universitetin e Sorbonës në Francë. Pas çlirimit ishte në vëzhgim të “Syrit të Ciklopit”, Sigurimit.
Bile pas gjimnazit nuk i dhanë të drejtën për shkollë të lartë. Ishte Mësuesi i Popullit Thoma Papano që nderhyri në instancat e larta duke u bërë garant, kështu që vazhdoi Fakultetin e Shkencave në Tiranë për Matematikë Fizikë.
Punoi me ndershmëri dhe përkushtim, por ishte i talentuar si metodist dhe organizator për problemet e arsimit. U shqua si një nga ikonat e gazetarisë së sportive dhe mori çmimin “Andon Mazreku’’ në sporte. Ka shkruar disa libra për sportin në Gjirokastër. Në bllokun tim, në një nga fletat e tij kam shkruar: ‘Biseda e fundit me Sokrat Papadhopullin’’.
Ja një fragment i shkëputur:
Kishin kaluar disa ditë nga lajmi për ikjen e Sokratit. Iku ashtu papritur. Nuk më besohet akoma. Doja të shkruaja diçka. Një si lamtumirë..Por duart nuk më bindeshin. Sa herë e provova të shkelja mbi tastierë, gishtat ngrinin, mpiheshin.. Rrija pastaj ashtu i menduar dhe i hutuar.
Në mendjen time sillja copëza nga dokumentari i shkurtër që kisha njohjen dhe kontaktet me Sokrat Papadhopullin, me kolegun, mikun, intelektualin dhe njeriun fisnik. Shokimi më erdhi se unë të dielën e parë bisedova. Më erdhi si e papritur ajo telefonatë.
Me të shumtën e herëve komunikonim me mesazhe dhe komente. Ishte pikant dhe me humor në komente qe më bënte. Në postimet e tij ishte enciklopedist dhe erudit, me një stil të këndshëm. Ia lexoja me endje.
..Isha në kopsht kur dëgjova zilen e celularit. U emocionpva kur pashë emrin e Sokratit. Më kishte marrë malli edhe për zërin e tij.
“Ta dish ku jam tani, Sokrat, do të më kishe zili. Në kopsht, po qëroj një mandarinë”.
Ai qeshi. Po zëri që më erdhi, dukej i lodhur me nota nostalgjie.
“Unë jam në Athinë – më tha- të mora të të degjoj zërin.
Vërtet zili të kam, të isha edhe unë aty, mes gjelbërimit dhe aromës së mandarinave e portokalleve. Njeriu kur ndjen çaste trishtimi, ka nevojë të flas me dikë. Kujtova atë kohë të bukur, paçka vështirësive, në redaksinë e gazetës ‘Llaiko Vima’. Kur shikoj se po i afrohem stacionit të fundit…njeriu fillon e bën bilancin.
“Ç’i ke këto Sokrat, s’i le shakarat?”
“Me lër të flas. Të kam simpatizuar se ke qenë një koleg i palodhur që spikasje në të gjitha llojet e stilet gazetareske.. I paparë në reportazhe..Çthem në reportazhe? Në fejtone?..Jo vetem si koleg. Ishe mjaft i këndshëm në shoqëri. I çiltër, i sinqertë, romantik. Ndaj m’u mbush mendja të të krahasoja me lumin e Bistricës, i pastër, i kulluar, i kaltër dhe romantik si Syri i Kaltër…”
Nuk e lashë të vazhdonte.
“Ç’pate sot Sokrat? Ç’i ke këto elozhe?”
“Ah, more Panajot – dhe dëgjova një psherëtimë, – nuk jam mirë. Jam gati i paralizuar, dhe nuk shikoj mirë. Ndofta…Ndaj doja t’i thosha dy fjalë…si fjalë…”
E ndërpreva prapë.
“Nuk të njoh. Unë Sokratin…”
Qeshi dhe që t’i shmagej më kujtoi një episod:
“Mban mend ‘vulën’ në tavanin e zyrës se redaksisë?”
..Atë ditë kishim marrë rrogën. Dikush na dha një shishe verë të dyllosur. Nuk e mbaj kush. Sokrati erdhi në vesh dhe më tha: “Kemi verë sot”.
Dita e fundit ishte e lodhshme se mbyllnim gazetën dhe një copë bukë e hanin aty në zyrë. Sokrati na thoshte: “Do të dal unë t’u marrë ndonjë gjë. Se unë jam më i ri këtu(ai ishte më i vjetri dhe nuk i mungonte humori ) Pastaj unë i njoh këta taverxhintë”.
Kush nuk e njihte Sokratin? Kë nuk njihte ? Duke më shkelur syrin thoshte: “Do të ngeleni të kënaqur se ustait do t’i rrëshkasë pak dora kur do të më shikoj mua”. Kështu bëri edhe atë ditë. Problemi ishte se s’kishim hapëse për shishen e qelqtë të verës.
“Ore për ta hapur do ta hapim…”.
Provuam me pirun, asgjë. Ahere filluam ta godasim me dorë nga fundi. Herë unë, herë Sokrati.
Në një moment tapa nga presioni shpërtheu me një zhurmë dhe u përplas në tavan të zyrës duke lenë gjurmët e një vule. Dy kolegët tanë në fillim u tremben, pastaj qeshën me zemër.
“Le të mbëtet si vulë e punës sonë, e mundimeve tona”, tha Sokrati.
Heshti për pak. Iu hakërova se ishte bërë frikacak. I urova shëndet e të shkuara. Fjalët e tij të fundit që dëgjova ishin: “Një krijimtari të mbarë paç dhe mbetsh si Syri i Kaltër!”
E falenderova shumë dhe i thashë se do të flisnin prapë.
Nuk e dija që ato fjalë do të ishin fjalë lamtumire..!!!
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/