Përveç pamundësisë për të marrë borxh, bashkitë përballen me shumë detyrime të prapambetura. Para se të miratohej buxheti për vitin e ardhshëm, kryetarët dhe shoqatat e pushtetit vendor kërkuan faljen e tyre, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.
Kërkesat e përfaqësuesve të 61 bashkive të vendit nuk u reflektuan në buxhetin dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura nga Buxheti i Shtetit dhe jo nga ai i pushtetit vendor, nën argumentin se ato ishin të trashëguara nga ish-komunat, ishte një ndër to.
Për ekspertë të financave vendore, niveli i lartë i detyrimeve të prapambetura do të thotë më pak investime e shërbimeve në funksion të qytetarëve.