“Në vitin 1973, Qani Sadiku, 23-vjeçar, ndodhej i internuar prej afro një viti, bashkë me disa familjarë tij në Sarandë”, niset kështu një dokumentar kushtuar ndoshta figurës më monumentale të anti-komunizmit në Sarandë, i cili kaloi gjithë rininë në burg, e qe ndër të fundit që u lirua në ndërrim të regjimeve, nga stacioni i fundit i vuajtjes, burgu i Shën Vasilit.
Tashmë në moshë të thyer, por gjithë energji, e ka të kalurën si librin e tij të jetës.
Prej vitit 1974 kur do të arrestohej me një akuze politike e deri në rënien e regjimit Qani Sadiku nga Markati do ta kalonte jetën vetëm burgjeve duke pasur denime e ridënime pa dalë më asnjëherë prej andej, sa regjimi qe në fuqi.
Në dokumentarin kushtuar kësaj figure të rrallë, përgatitur nga gazetarja Admirina Peçi në ciklin “Dosja K” në A1 Report, thuhet se ai ishte një antikomunist i vendosur, i ashpër në çdo deklaratë të tijën apo edhe në biseda të afërta mes shokëve kundër regjimit.
Në familjen e e tij në Tiranë, bashkëshortja Venetike, vajza e tij Dea dhe djali Kervin janë gjithmonë dëshmitarë të çdo detaji të kësaj jete të vështirë që shpaloset shpesh mbrëmje kur në familjen e tyre bujtin miqtëe shumtë të burgut, thuhet më tej.
Po pse pati këtë rrjedhë jete Qaniu?
I lindur në vitin 1950 në Markat, Qani Sadiku, do ta kishte gjithmonë mbi shpinë vulën e armiqve të popullit, për shkak se i ati, Beqo Sadiku, kishte lidhje me të arratisurit. Por vetë Qaniu do të ishte që prej rinisë së hershme një rebel e kjo natyrë e tij do ia kushtëzonte gjithë jetën nën diktaturë.
Ishte viti 1974, kur doli në gjyq, ku mori dënimin me 7 vite burg për akuzën agjitacion e propagandë. Pas një muaji në birucë që do të pasohej edhe me pak kohë në kaushin e Tiranës, ai do të dërgohej në Spaç, një vend që për çudi e kishte parë në ëndërr pa qenë kurrë më parë atje. Nga Spaçi do dërgohej më pas në Burrel, aty ku siç thuhej, “hyn e s’del”.
E megjithatë, për të thuhej se ishte gjithë gazmend si tip, prej optimizmit dhe energjive.
Por një ridënim do e nxirrte jashtë natyre.
Në një çast dëshpërimi për dënimin e dytë, ai e kishte sulmuar spiunin e tij me një sqepar, atë prej të cilit ishte dënuar sërish.
Nëse nuk do të binte regjimi komunist Qani Sadiku do të mbahej në burgun e Burrelit deri në vitin 2006. Atëherë përfundonte edhe dënimi i tij me 25 vjet burg. Por rënia e regjimit bëri që në vitin 1991 të lirohej, pikërisht në Shën Vasil, stacioni i fundit i vuajtjes gati gjysmëshekullore
Prej shumë vitesh, krahas punëve dhe angazhimeve të tij të përditshme, një obligim që ai ka ndjerë gjithmonë për të vërtetën e ka bërë të kërkojë shumë në arkiva për të kuptuar si dhe pse jeta e tij kaloi përmes atyre rrathëve të ferrit. Dosjet që flasin për gjithë jetën e tij në burg por edhe jashtë tij, Qaniu i shfleton shpesh me të bijën, Dean, duke u përpjekur t’i tregojë asaj se si mbijetonin sistemet diktatoriale.
E pas kaq vuajtjesh, Qani Sadiku thotë se, çdo ditë e jetës duhet jetuar me intensitet dhe çdo orë e saj duhet mbushur me vepra të mira dhe gëzime, pavarësisht se sa jetë ka dhënë Zoti për secilin prej nesh, mbyllet kështu dokumentari mbi të. /sarandacity.al/