Në një kritikë ndaj Eva Alikajt, për hyrjen e saj në Big Brother, Andi Bushati ia atribuoi gjithçka të qënit të saj si aktore e ish-Realizimit Socialist për këtë proçkë që ia bëri vetes, duke e ulur atë në nivele mjerane, deri në pikën e zhveshjes për rreze dielli anës një pishine, duke ia prezantuar hiret 60-vjeçare meshkujve lapërdharë të atyshëm, por gjithë dhe dynjasë, duke e ditur se gjithçka ndodh aty i shkon miletit të etur për jetët e tyre në shtëpinë e Vëllait të Madh.
Kritika e Bushatit shkonte deri diku, për një femër mit në perceptimin e publikut, si artiste shijemirë në një publik që ende sheh me endje e nostalgji filmat e dikurshëm të socrealizimit komunist, e cila bën pis figurën e saj duke u mopelsur pas një ambenti vulgar, gjë që e detyron t’i thotë dikujt që “të çaj kafkën”, frazë për të cilën i kërkoi falje publikut.
Por kur Bushati e lidh kritikën e tij me thagmën e dikurshme aristike te Alikajt, duke vënë në dyshim dhe kualitetin aktoresk te saj, këtu ia fut kot. Ia fut kot dhe te shpjegimi ekonomik i rrëshqitjes së Alikajt, duke përfunduar në Big Brother.
Jo, njeriu është karakter, i ndarë nga rrethanat objektive, një karakter më shumë i lindur se sa i kultivuar. Dhe e lindura mund të qëllojë me plot probleme, plot paradokse, të cilat e shoqërojnë atë gjatë gjithë jetës, deri në vdekje. Mund të ndodhë që ai(ose ajo) të luftojë me cenet e karakterit të vet, në një çast dritësimi hyjnor, t’i mundë ose t’i zbrapsë e t’i dobësojë, por më së shumti ato sundojnë mbi të, duke e tërhequr për hundësh, sado një profesioni të fisëm a një kulturë e përvoje të fituar në jetë. Asgjë prej këtyre nuk i mposht dot veset e lindura, konkludon Turgenievi në një libër të tij.
Një personazh publik i shoqërisë civile që ishte pjesë e protestave për Teatrin, ndihet i shokuar prej zhgënjimeve që kish hasur i ndodhur ndër artistë me emër të skenës e filmit, pasi imazhi i tyre i larmë artistik nuk lidhej aspak me atë që ata ishin realisht si karaktere njerëzore. Si të thuash, nëse ishin engjëj në role, ishin djaj në realitet; apo nëse ishin fisnikë në aktrim, ishin të rëndomtë në sjelljen e përditshme. Dhe të tillë ka shumë në jetën publike shqiptare, ku veçon dhe ajo artistike, por sidomos ajo aktoreske.
Te Big Brother ne nuk po shohim emra të socrealizimit të degraduar në kapitalizëm, siç Bushati mëton të shpjegojë Eva Alikajn. Armando Kllogjri, një intepretues brilant operistik, jo e tepërt të thuhet se i përket elitës skenike shqiptare të pas viteve 2000, po lë nam me rëndomësinë e tij si njeri.
Ai vërtet mund të jetë futur aty dhe për para, sipas një shpjegimi ekonomik të Bushatit, referuar rastit Alikaj, por karakteri i tij, pa lidhje me dëshirën për ca para më shumë nga të ardhurat e profesionit, lë për të dëshiruar. Në thelb, atë e kanë çuar aty cenet e karakterit që s’ka para t’i rregullojë. Kështu dhe me Alikajn, e cila muaj më parë do linte nam gjithashtu duke i treguar publikut një bisedë telefonike me Ermal Mamaqin, ku ishte poshtëruar nga ky i fundit. Dhe mu pse ishte poshtëruar, ajo nuk duhej ta ndante me publikun këtë gjë. Dhe këtë e ka nga karakteri, ai i pashërueshmi dot. Ngjashëm dhe me Genc Fugën, i cili i tregon publikut hallin e tij si kryefamiljar, një figurë që në performancën publike lë të shumë për të dëshiruar, edhe pse vjen nga katedrat e artit skenik. Ai ndihet i cenueshëm si burrë në familjen e tij, prej pamundësisë burrërore për të qenë burrë në financa, e më pas shet lirë burrërinë e tij në publik. Këtë e ka nga karakteri e jo nga halli. Në principet e larta njerëzore, te burri që është burri përfshihet dhe ai që sheh hallin e tij para njerëzve, për të mos u dukur qarraman dhe i padinjitet.
Duke iu kthyer Alikajt dhe qasjes deri përçmuese të Bushatit ndaj saj, i ashtuquajturi analist që kritikat i ka dhe tregues delirizmi të shfrenuar, i duhet kujtuar se aty, në Big Brother janë dhe dy emra të artit skenik të epokës së vonë, madje dhe të sukseshëm deri diku, Amos Zaharia, i biri i Yllka Mujos dhe Olta Gixhari. Nuk i ka çuar aty konteksti apo rendi socio-politiko-ekonomik-artistik ku jetojnë, por karakteri i tyre, ajo çfarë ata janë në thelb si njerëz, ndarazi nga profili i tyre publik si njerëz të artit, madje si me thikë.
Dhe në fund, si vërtetim i kësaj është Berisha. Një mjek i mirë zemre që shfaqet si një bela politike 30-vjeçare gjithnjë e në degradim. Ajo çfarë e shpjegon racionalisht këtë irracionalitet, është karakteri i mbrapshtë, veset e lindura e të pashëruara dot, të pakthyera kurrë në virtyte. Ato janë aty, gjallojnë në çdo kohë; rrethanat thjesht mund t’i fshehin për një moment, për t’i shpërfaqur në të parin ndryshim.
Kjo e shpjegon atë se ka dhe mjekë “pa gjak”, që të sëmur madje, se ka dhe mësues antiedukativë, siç ka artistë pa pikë arti jashtë rolit apo veprës së tyre. /sarandacity.al/