Pas ngjarjes së rëndë në Tiranë, ku një i ri vrau të dashurën ganeze dhe më pas veten me vetëvedhje nga lartësia, kanë nisur të dalin detajet e para.
Bëhet me dije se Kliton Pira, 26 vjeç, e kish njohur 31-vjeçaren Jawsackie Jaboah në rrjetet sociale. Djaloshi nga Dibra jetonte prej vitesh në Laprakë, ndërsa kish qenë dhe në Angli por pa letra.
Burime për media bëjnë me dije se shkak i ngjarjes së rëndë është bërë xhelozia, ndonëse thuhet nga ana tjetër se lidhja mes tyre kish qenë dhe për arsye letrash. Ndaj, 31-vjeçarja ganeze me letra franceze, kishte bërë rrugën e gjatë për të ardhur në Tiranë dhe t’u sqaruar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre.
Ajo mbërriti pasditen e së shtunës në Tiranë, duke u pritur në Rinas pikërish nga i riu. Dhe, pasi janë futur në një apartament të marrë me qera, ajo dhe 26-vjeçari janë konfliktuar. Si pasojë, ai e ka qëlluar disa herë me thikë.
31-vjeçarja doli nga banesa për të kërkuar ndihmë, ku më pas ka humbur dhe ndjenjat, ndërsa 26-vjeçari u hodh nga kati i 8-të duke i dhënë kështu fund jetës. Ganezja ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra rrugës për në spital.
Thuhet nga ana tjetër se para se të shkonte në Angli, 26-vjeçari punonte në Greqi bashkë me të atin. Mësohet se para tre vitesh, Pirës i kishin ekzekutuar babain, Genci Pira, i cili u gjet i vetëvarur në Korçë.
Fillimisht u raportua si vetëvrasje, por që familjarët dyshuan se ai ishte vrarë. Familja Pira ishte në hasmëri me një familje tjetër në rrethana ende të panjohura.
Familja me origjinë nga Dibra jetonin prej rreth 30 vitesh në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ku tashmë qëndron vetëm e ëma, pasi edhe vëllezërit e tij jetojnë në emigracion. /sarandacity.al/