Më 26 gusht të 2010, pra si sot 11 vite më parë, Saranda do merrte pabesueshëm lajmi se Tan Mejdi, Tani i “Krahut të Shqiponjës”, tani sportiv, ishte shuar papritmas.
Artan Mejdi ishte një djalë sarandiot plot vitalitet e forcë që ja jepte fiziku i tij prej gjimnasti të vërtetë dhe dëshira për të jetuar.
Ai mbaroi shkollën e Mjeshtërisë Sportive në Durrës dhe më pas Institutin e Lartë të Fiskulturës “Vojo Kushi “ në Tiranë.
Për shumë vite punoi si mësues i Edukimit Fizik në shkollat e zonës së Vrinës dhe më pas filloi punë në shkollën e mesme profesionale “Antonio Athanas” në Sarandë.
Dashuria për profesionin, dëshira për të realizuar orë mësimi brendave standarteve bashkëkohore, e veçonte atë si mësues, duke fituar dashurinë dhe simpatinë tek nxënësit e tij që e donin aq shumë.
Trajtimi i tyre me kulturë, edukatë dhe profesionalizëm, eleminimi i distancave akademike mësues – nxënës dhe trajtimi i tyre si shok, e bënte Tanin mësues mjaft të dashur me nxënësit, aq sa ata shkonin me shumë dëshirë tek ora e tij e fiskulturës.
Tani ngriti dhe një biznes pranë detit dhe i vendosi emrin shumë domethënës “Krahu i Shqiponjës”, si dhimbje për pjesën e Çamërisë të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë.
Kjo e bënte atë një luftëtar të paepur për ç’ështjen çame dhe nuk mungonte për asnjë moment në aktivitetet lokale e kombëtare që zhvilloheshin brenda dhe jashtë Sarandës për kauzën çame.
Dita e ikjes së tij nga jetë do ishte tronditëse për Sarandën. /sarandacity.al/