Një letër e hapur denoncuese ka mbërritur në qeveri, e cila flet për një flet për një refuzim vizash nga Konsullata shqiptare në Stamboll për një grup prej 48 irakenësh. Këta të fundit do të vinin dhe në Sarandë.
Letra është shkruar nga Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike.
LETER E HAPUR drejtuar:
Kryeministrit të Shqiperisë, Z. Edi Rama,
Ministrit për Europën dhe punët e Jashtme Znj. Olta Xhaçka
Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Z. Blendi Klosi.
Duke përshëndetur heqjen e vizave pr qytetarë të disa vendeve të Lindjes së Mesme që duan të vizitojnë Shqipërinë apo të bëjnë pushime në vendin tonë, ju prezantojmë një veprim krejtësisht të pajustifikuar të Konsullatës sonë në Stamboll, e cila ju refuzoi vizat një grupi prej 48 personash, turistë irakianë, të cilët kishin paguar paketën e një udhëtimi turistik në Shqipëri.
Duke qënë se Iraku nuk u përfshi në vendet për të cilat qeveria Shqiptare hoqi regjimin e vizave, turistët nga iraku janë të detyruar të paisen me viza turistike nga konsullata jonë në Stamboll.
Përpjekjet e operatorit turistik shqiptar dhe partnerit irakian, i cili dy muaj më parë erdhi dhe bëri një vizitë në Shqipëri për të studiura mundësitë për sjelljen e grupeve të turistëve nga Iraku, dështuan pa filluar akoma. Turistët irakianë ishin përzgjedhur nga operatori irakian që të ishin njerëz me profesione, të kishin udhëtuar më parë si turistë në vende të ndryshme dhe të kishin një nivel ekonomik të përshtatshëm për të bërë udhëtime turistike.
Për grupin prej 48 personash u organizuan rezervimet për fluturime dhe hotelet ne Shqipëri. U bë aplikimi për viza online dhe iu kërkua – e theksojmë – iu kërkua të paraqisnin biletat dhe hotelet e paguara. Për 48 persona operatori irakian u detyrua te paguante rreth 30 mijë USD për biletat e avionit dhe rreth 3500 euro për vizat. Gjithashtu u parapaguan hotelet në Shqiperi
Refuzimi masiv i kërkesave për vizë turistike është për ne një sjellje e pajustifikuar dhe e pa bazuar në kriteret dhe rregullat në fuqi. Ne mendojmë dhe jemi të bindur se paragjykimet të cilat kanë dominuar në marrjen e këtij vendimi refuzimi, janë shumë të dëmshme dhe minojnë perpjekjet e operatoreve turistike vendas dhe të huaj për zhvillimin e turizmit dhe zgjerimin e hartës së vendeve nga të cilat Shqipëria pret turistë.
Ne përbërjen e grupit prej 48 turistësh irakianë, ishin 30 mjekë dhe doktorë të cilëve ju refuzua viza pa asnjë të drejtë. Çdo vendim për refuzimin e hyrjes në Shqipëri duhet të jetë i bazuar në të dhënat individuale të secilit e jo në paragjykimin se çdo Irakian është një azilkërkues…. Doktorët irakianë që do të vinin për një seminar apo konferencë të akomoduar në hotelin më të mirë me 5 yje në Tiranë, dhe që planifikuan të qëndronin edhe 3 ditë më tepër në një nga hotelet më luksoze në Sarandë, të jenë të gjithë kontigjentë për t’u refuzuar? Edhe 20 pjesëtarët të një grupi tjetër irakian, me vula dhe viza të përdorura hyrjesh në shtete europiane, USA a Kanada, Turqi a Egjipt, të ishin të gjithë për t’u refuzuar?
Krahas humbjeve të konsiderueshme që u janë shkaktuar individëve edhe pperatorëve turistikë nga parapagimet e biletave dhe hoteleve që janë pothuaj të pakthyeshme, një humbje edhe më e madhe po i shkaktohet sektorit të turizmit dhe imazhit të Shqipërisë si një destinacion nderkombëtarë.
Shoqata ATOA me anë të publikimit të kësaj letre të hapur, kërkon nga autoritetet shtetërore, hetim të veprimeve të konsullatës Shqiptare në Stamboll dhe transparencë për ligjshmërinë e këtyre veprimeve sabotuese të punës së operatoreve turistikë.
Me respekt,
Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike. /sarandacity.al/